Dyfishohet numri i vizitave psikiatrike, Rreli: Çrregullimet e ankthit, shkaku më i përhapur

schedule15:25 - 8 Qershor, 2021

schedule 15:25 - 8 Qershor, 2021

Nga Ema Shazivari

Në dy vitet e fundit numri i vizitave te psikiatri është dyfishuar. Psikiatrja Arjana Rreli, thotë për “ABC”, se pret në ditë rreth 25 pacientë që kërkojnë ndihmë. Shumica e tyre janë të rinj.

Kryesisht paraqesin çrregullime të ankthit si pasojë e stresit të përditshmërisë, por ka edhe probleme më të rënda mendore.

“Mund të themi që gjatë këtij viti vazhdojnë të jenë në rritje kërkesat për të pasur një vlerësim nga mjeku psikiatër. Por ndihmë kërkohet shumë edhe tek profesionistët e tjerë të shëndetit mendor sepse problematikat janë rritur. Unë mund të them se mesatarisht, rreth 25 persona në ditë paraqiten për të kërkuar ndihmë për herë të parë”, sqaron ajo.

Për sa i përket vrasjeve të fundit në familje, Rreli i cilëson autorët si persona me çrregullim të personalitetit, të cilët nuk janë evidentuar në kohë.

“Krimi është finalizimi i një konflikti shumë të madh si ndërpersonal, por edhe psikologjik. Një ekstrem i tillë ku jetë njerëzish vihen jo vetëm në diskutim, por edhe finalizohen edhe me vdekje është maja e problematikës që mund të ketë në terren probleme psikologjike, apo komplikacione të thella të problemeve psikiatrike që mund të jenë të pa trajtuara. Do të thoja që këto persona bëjnë pjesë tek grupimi i çrregullimeve të personaliteti”, u shpreh më tej psikiatrja Rreli.

Specialistët e shëndetit mendor, bëjnë apel që qytetarët të ndërgjegjësohen për problematikat e tyre.

Vizita te mjeku psikiatër është e rëndësishme, pasi mund të zbulojnë problematika të fshehura ndër vite./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!