Mungesa e fuqisë punëtore në Vlorë i ka detyruar bizneset të kërkojnë punëtorë të huaj. Në shumë sektorë ka vazhdimisht vende të lira punë dhe sipërmarrësit kanë punësuar punëtorë nga India, Nepali, Bangladeshi dhe Egjipti.
Gjinovefa Xhori, specialiste e drejtorisë rajonale të punësimit në Vlorë, konfirmon se këtë vit janë dyfishuar kërkesat për leje punë për punëtorë të huaj.
“Kanë ardhur kërkesa nga sektori i ndërtimit, industri mekanike, hoteleri-turizëm dhe fasoneri. Sipërmarrësit kanë kërkuar pajisen me leje pune për shtetas me shtetësi të ndryshme, indiane, nepaleze, bangladeshase, turke, egjiptiane. Egjiptianët punojnë në peshkim, bangladeshasit në sektorin e ndërtimit, indianët në fasoneri. Në krahasim me vitin e kaluar ka më shumë interes.”
Specialistja bën të ditur se gjatë këtij viti kanë kërkuar leje punë dhe shtetas të tjerë të huaj të cilët kanë hapur sipërmarrje të vogla.
“Kemi dhe një kategori tjetër që pajisen me leje pune, siç janë sipërmarrësit që operojnë në sektorin e pasurive të paluajtshme ose të aktiviteteve të operatorëve turistikë. Janë të vetëpunësuar shtetas nga Rusia dhe Ukraina.”
Në Vlorë aktualisht janë të punësuar me kontrata 6 mujore deri 1 vjeçare, 250 shtetas të huaj./Abcnews.al/