Numri i shtetasve të huaj që kërkojnë azil në Shqipëri ka pësuar një trend të fortë rritës gjatë viteve të fundit. Nëse analizojmë shifrat zyrtare konstatohet se gjatë 2023 numri I personave që kanë kërkuar strehim në vendin tonë është dyfishuar. Referuar të dhënave të Instat në vitin 2023 rezultojnë 261 azilkërkues, duke shënuar një rritje të fortë , krahasuar me një vit më parë, ku kishim vetëm 125 të tillë .
Shtetasit vijnë nga vende të treta dhe peshën kryesore e mbajnë ata me origjinë nga Afganistani që zënë 61,7 % të azilkërkuesve gjithsej. Nga Afganistani rezulton se kanë kërkuar azil në vendin tonë 161 persona duke vijuar me 38 azilkërkues nga Siria dhe 25 azilkërkues nga Iraku.
Por pavarësisht numrit të kërkesave deri në 2023 janë aprovuar 14 vendime pozitive për dhënie të statusit të mbrojtjes plotësuese për azilkërkuesit, nga këto raste 5 i përkasin shtetasve me origjinë nga Iraku, 4 i përkasin shtetasve me origjinë nga Afganistani dhe pjesa mbetur i përkasin shtetasve nga Siria dhe Palestina.
Duke parë kërkesat për azil sipas muajve, vërehet se aplikimet më të mëdha janë muajt mars, shtatori dhe tetori të cilët përbëjnë 46,0 % të aplikimeve gjithsej.
Në vitin 2023 rezultojnë 1.382 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare,. Po të analizojmë të dhënat sipas gjinisë, vëmë re se 796 janë meshkuj dhe 586 femra.
Nëse shohim vendin e origjinës të personave që kanë fituar shtetësinë Shqiptare, vërehet se 74,7 % e përbëjnë ato me origjinë nga Kosova, 7,2 % me origjinë nga Turqia dhe 4,1 % me origjinë nga Siria.
AZILKERKUESIT NE SHQIPERI
Afganistani 161 persona
Siria 38 persona
Iraku 25 persona
/abcnews.al