Burreli-Tërbuni u mbyll me fitoren 1-0 të vendasve. Stana shënoi golin vendimtar në minutën e 14-të dhe i dhuroi tre pikët ekipit matjan. Ky duel cilësohet si derbi dhe përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë shumë të forta.
Miqtë kanë mbetur të pakënaqur me gjykimin e sfidës dhe trajneri i ekipit pukjan ka reaguar ashpër me anë të një postimi në rrjetet sociale. Oltijon Kernaja pretendon për një gol të ekipit mik, por kryesori Endrit Zhuli dhe anësori nuk e “panë”. Trajneri i Tërbunit luan me mbiemrin e arbitrit 37-vjeçar dhe bën thirrje për Vetting te arbitrat e futbollit shqiptar.
POSTIMI I PLOTË I TRAJNERIT
“Një ‘Zhuls’ apo dy zhulsa nuk mund të bëjnë zhul një ndeshje futbolli. Një ‘Zhuls’ nuk mund të bëjë zhul, punën, djersën e një ekipi, e një rrethi, se për punën e trajnerit nuk duan t’ia dijnë. Futbolli ka një mijë e një halle të tjera.
Por ju lutem, hiqni këta zhulsa nga qarkullimi. U bë java e disatë që zotëria në fjale, Zhuli arbitron KF Tërbunin, dhe është e njëjta sjellje, sikur e ka personale me Pukën dhe Tërbunin Sot ishte i sigurt, anësori e ka pare që s’është gol.
Ama anësori nuk është në asnjë vend. Sado zhulsa të vijnë, Tërbuni do rikthehet tek fitorja, se mundin dhe djersën nuk mund ta hedhin poshtë disa 2 qind leksha… Drejtësia do vihet ne vend.
P.s Duhet Vetting edhe tek arbitrat“. /abcnews.al