Dy vjet pas, zgjedhjet duhet të përsëriten në një pjesë të Berlinit

schedule22:49 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 22:49 - 19 Dhjetor, 2023

Ndonëse parregullsitë zgjedhore shpesh lidhen vetëm me një pjesë të Evropës, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë është dëshmi se gabimet u ndodhin atyre që shpesh paraqiten në publik si shembull i proceseve demokratike.

Kushtetuesja në Gjermani vendosi që zgjedhjet federale të mbajtura në Berlin në vitin 2021 duhet të përsëriten në 455 njësi zgjedhore.

“Për shkak të gabimeve të shumta, zgjedhjet federale do të duhet të përsëriten pjesërisht. Zgjedhjet do të mbahen brenda 60 ditëve nga shpallja e vendimit. Data më e fundit e mundshme është 11 shkurt 2024”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, shkruan Tagesschau.

Mediat gjermane tregojnë se dita e zgjedhjeve më 26 shtator 2021 ishte kaotike në shumë qendra votimi në Berlin.

“Njerëzit duhej të prisnin në radhë për një kohë të gjatë, fletët e votimit ishin të dëmtuara ose mungonin fare. Qendrat e votimit duhej të mbylleshin përkohësisht ose të qëndronin të hapura deri në orën 6 pasdite”, thuhet në raportimin e tyre.

Edhe pse zgjedhjet do të përsëriten në një numër të konsiderueshëm vendesh, analistët theksojnë se rezultatet nuk do të lëkundin koalicionin e përbërë nga SPD, FDP dhe të Gjelbrit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!