Dy vjet në pushtet, Zaev bën bilancin e qeverisjes

schedule19:55 - 2 Qershor, 2019

schedule 19:55 - 2 Qershor, 2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të dielën bilancin e qeverisjes së tij kur kanë kaluar 2 vjet nga marrja e pushtetit. Në fjalën e tij, Zaev ka vlerësuar reformat e ndërmarra nga kabineti i tij dhe ka theksuar se tashmë i takon BE-së të mbajë fjalën, duke iu referuar hapjes së negociatave.

Sallë e mbushur me funksionarë qeveritarë, këshilltarë, deputetë, kryetarë komunash, aktivistë të organizatave qytetare dhe ndonjë përfaqësues i bashkësive fetare. Të gjithë të mbledhur, në ftesë të qeverisë, të shënojnë dyvjetorin ose gjysmën e mandatit nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, i cili erdhi në pushtet pas turbulencave në pranverën e vitit 2017, hyrja e dhunshme në Kuvend, mosdhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga ish-presidenti i shtetit, rezistencë dhe kërcënime nga qeveria e atëhershme. Vendi ishte në prag të shkatërrimit, vlerësoi Zaev, i kënaqur nga kthesa e bërë në plan të brendshëm dhe ndërkombëtar.

“Do të shërbehem me dialektin e Strumicës për të thënë se në politikë nuk ekziston “shikoje rehatinë tënde”. Ndërmorëm aksion, u betuam, është koha ti japim botës një Ballkan më ndryshe. Ballkan i vendeve të cilat i kanë lënë pas paragjykimet dhe kontestet historike dhe të cilët janë kthyer drejt mirëqenies së qytetarëve të vet”, tha ai.

Pas arritjeve të numëruara, në plan vendas dhe ndërkombëtar, kryeministri e porositi Brukselin, duke theksuar: “Evropianët nga Maqedonia e Veriut presin një hap të qartë nga Bashkimi Evropian”, duke sugjeruar në datën e pritur për fillim të negociatave për anëtarësim. Por në procesin e eurointegrimit të vendit është më e sigurt se përshëndetja për mirëseardhje shumë më shpejt do të arrijë nga NATO.

“Për përafërsisht dy javë një nga kapacitetet ushtarake më të sofistikuara të mbrojtjes të NATO-s, avioni ushtarak supersonik B52 do të fluturojë mbi vendin tonë, duke përshëndetur anëtaren më të re. Të jemi të sinqertë, para dy vitesh kjo do të ishte më shumë se iluzion”, tha Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Zëvëndëskryeministri Bujar Osmani arritjet e qeverisë u përpoq t’i ilustrojë me pozitën e Maqedonisë vis-a-vis me fqinjët, në raport me reformat demokratike dhe ekonomike.

“Këtë krahasim shikojeni nga këndvështrimi pozitiv, kjo nuk është luftë në kuptim negativ. Kjo qasje drejt Bashkimit Evropian i motivoi vendet tona të arrijnë në këtë stad. Nota është 3.5 për reformat ekonomike. Që d.m.th se kushtet për zhvillim të biznesit dhe ekonomisë në vend janë pozitive”, tha ai.

Por përveç vlerësimeve pozitive për reformat e arritura dhe vlerave demokratike në Maqedoni, Bashkimi Evropian në raportin e fundit për përparimin e vendit i numëron edhe detyrat e paplotësuara, më së shumti në fushën e sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe ndryshimin ose evropianizimin e vetëdijes të administratës shtetërore. Pikërisht në këtë fushë nga qeveria pritet angazhim më i madh./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!