Tirana kërkon një sulmues dhe në skenë ka dalë një emër i njohur, i cili është aktivizuar edhe me Shqipërinë U21. Bëhet fjalë për Albion Avdijajn, i cili më parë ka luajtur edhe me moshat e Zvicrës, por zgjodhi më pas ngjyrat kuqezi.
Karriera e tij nuk ka shkuar në bazë të pritshmërive dhe tani përflitet se ka nënshkruar për Tiranën. Avdijaj eksperiencën e fundit e ka Viborg në Danimarkë. Asnjë gol në gjashtë ndeshje, ndërkohë që vetëm një ndeshje e ka nisur si titullar.
Këtë sezon e kishte nisur me Grasshopper, ndërsa golin e fundit e ka realizuar në tetor të vitit 2018, kur ishte pjesë e Debrecen në Hungari. Avdijaj ka luajtur në elitën e futbollit zviceran edhe me Vaduz, por nuk ka spikatur si një golashënues.
Sezonin më të mirë e ka në vitin 2015, kur ishte pjesë e Wolfsburg II dhe shënonte 11 gola në ligën e katërt në Gjermani. Një vit më parë ai i është propozuar klubit të Kukësit, që nuk është bindur dhe tani duket se do të luajë për herë të parë në Superiore me Tiranën. /abcnews.al