Dy vdekjet e djeshme që na përkasin të gjithëve dhe ca mistere që mbeten pas

schedule13:11 - 5 Maj, 2022

schedule 13:11 - 5 Maj, 2022

Shqipëria u trondit dje nga dy vdekje. Vdekjet janë të njëjta për nga dhimbja që lenë pas te familjarët, por ikja për në botën tjetër e Fatmira Likramës në Elbasan duke u hedhur nga kati i tretë i banesës në Elbasan dhe vdekja në rrethana të mistershme e Ilvi Metës në komisariatin e Kavajës, janë ngjarje që na përkasin të gjithëvë.

52-vjeçarja Fatmira Likrama u hodh dje nga pallati duke zgjedhur vetëvrasjen pas dhunës nga bashkëshorti. Motra tregon se e kishte parë Fatmirën me dhëmbë të thyer dhe flokë të shkulur dy ditë më parë, moment në të cilin kishte ikur nga banesa për t’i shpëtuar dhunës së bashkëshortit.

Madje, Fatmira kishte edhe urdhër mbrojtjeje, por i biri e kishte marrë me forcë nga shtëpia e së motrës ku kishte shkuar për strehim duke e çuar në banesën e tyre. Pak orë më vonë ajo vrau veten, ndërsa më pas të afërmit thanë për mediat se dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti.

Kjo është vdekja e radhës e grave për shkak të dhunës në familje ku duket se institucionet nuk kanë bërë siç duhet detyrën e tyre.

Vdekja e dytë, edhe më tronditëse është ajo e Ilvi Metës brenda komisariatit të Kavajës. Në njoftimin e saj zyrtar, policia tha se Ilvi Meta kishte vrarë veten përmes mbytjes me lidhësen xhupit në kushte të rënda psikologjike.

Ndërkohë familjarët pretendojnë se 31-vjeçari nuk kishte shfaqur asnjëherë shenja të depresionit apo simptoma të ngjashme që mund të çonin në veprimin ekstrem. Në një komunikim në telefon me abcnews.al mbrëmjen e djeshme babai i Ilvit, Agimi shprehet se nuk e beson versionin e policisë duke hedhur dyshime se ia është rrahur për vdekje në komisariat.

Policia mohon çdo mundësi dhunimi ndaj të riut brenda komisariatit, por është fakt se përveç Tiranës, nëpër rrethe ende vlon druri brenda birucave dhe ka policë që i besojnë më tepër dajakut se dënimit sipas ligjit dhe edukimit.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrës Policore i qendron versionit të vetëvrasjes duke arrestuar tre efektivë policie me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” pasi nuk parandaluan vetëvrasjen e Ilvi Metës.

Burime të abcnews.al bëjnë me dije se Ilvi Meta ishte një person shumë i njohur për policinë e Kavajës dhe hynte-dilte shpesh prej komisariatit për shkak të sjelljes problematike që kishte në qytet.

Mësohet se 31-vjeçari ishte familjarizuar që në adoleshencë me komisariatin e Kavajës dhe nuk i bënin përshtypje shoqërimet në të.

Është pikërisht ky fakt që e bën të dyshimtë vetëvrasjen e Metës “në kushtë të rënda psikologjike” për aq kohë sa një pjesë të mirë të ditëve si adoleshent dhe si i ri i kishte kaluar në komisariat.  /E.Senja-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!