E pamundur të niste më bukur se kështu.
Karabag është një emër i rëndësishëm në vendin e tij, Azerbajxhan, por aspak një gjigand në Europë, por starti i tij në Champions ishte një mrekulli.
Suksesi 3-2 në Portugali ndaj Benfikës ishte dhurata më e bukur për tifozët, dhe mënyra më e mirë për të treguar se azerët nuk janë në fazën e grupeve për të kaluar kohën.
Edhe pse “shqiponjat” e Lisbonës goditën shpejt dhe u duk se mbaruan punë me avantazhin 2-0, Karabag e tha fjalën në fund.
Barreneçea e Pavlidhis lumturuan publikun në “Estadio da Luz” që në 16 minutat e para, ndërsa përmbysja nuk është se vonoi.
Leandro Andrade bëri që pjesa e parë të përfundonte 2-1 për vendasit, ndërsa pas pushimit erdhi rrufeshëm barazimi.
Në fund, në minutën e 86-të, Kashçuk siguroi tri pikët për azerët në të papriturën më të madhe të ndeshjeve të para në grup deri tani.
Karabak luajti mjaft mirë, thuajse I barabartë me Benfikën, edhe pse kjo është vetëm pjesëmarrja e tij e dytë në grupet e Ligës së Kampionëve.
Surpriza tjetër u shkaktua në Holandë.
Në një derbi të Vendeve të Ulëta, Union Sent Zhilua triumfoi 3-1 në fushën e PSV Ajndhovenit.
Kampionia e Belgjikës luajti shumë më mirë, siç u detyrua ta pranonte edhe trajneri vendas, Peter Bosh.
Rezultati u rrit vazhdimisht derisa arriti 3-0, me golat e shënuar nga David në 9’ me penallti, El Haxh në 39’ dhe Makallister nëntë minuta para fundit.
PSV, dikur edhe kampione e Europës, realizoi fare në fund me autor Van Bomelin.

