Dy skenarët që mund të zhdukin besimin tek vaksina, si të jemi gati!

schedule12:52 - 9 Dhjetor, 2020

schedule 12:52 - 9 Dhjetor, 2020

Nga Leana S. Wen, Washington Post

Të enjten, një panel këshillimor për Administratën e Ushqimit dhe Barnave ka të ngjarë të rekomandojë autorizimin e përdorimit emergjent për vaksinën e parë kundër Covid-19. Një vaksinë e dytë mund të autorizohet javën e ardhshme dhe miliona amerikanë mund të vaksinohen deri në fund të dhjetorit.

Por kjo fitore e shkencës nuk mund të vijë aq shpejt. Ka dy skenarë që mund të prishin përpjekjet e vaksinës – nëse nuk përgatitemi për to që tani.

Një prej tyre ka shumë gjasa të ndodhë: Një numër i madh i njerëzve do të përjetojnë efekte anësore. Në provat e fazës 3 të të dy vaksinave, 10 deri në 15 përqind  raportuan se kishin efekte anësore. Disa raportuan se kishin simptoma të rënda si lodhje, dhimbje dhe ënjtje në vendin e injektimit, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve.

Susan Froehlich, tha për CNN se “çdo pjesë e trupit tim më dhembte për rreth katër orë”. Një pjesëmarrës tjetër dhe vetë një mjek, David Yamane, më tha që ai kishte dridhura dhe dhimbje koke, dhe se ishte aq i lodhur sa fjeti në mesdite dhe u zgjua mëngjesin tjetër.

“Këto simptoma nuk janë shaka,” tha ai.

Të kesh efekte anësore nuk është diçka e keqe; në fakt, kjo nënkupton që trupi po krijon një përgjigje imune. Megjithëse mund të jenë të sikletshme për disa orë deri në disa ditë, ato nuk janë të krahasueshme me infektimin me koronavirus, i cili mund të shkaktojë probleme me javë të tëra ose edhe pasoja afatgjata dhe vdekje.

Duhet të bëhet e qartë që në fillim që efektet anësore janë normale dhe të pritshme. Nënvlerësimi i tyre mund të sjellë vetëm një efekt të kundërt. Të dy vaksinat Pfizer dhe Moderna kërkojnë dy doza – një fillestare dhe një përforcuese dhe dikush që përjeton një efekt anësor  pas dozës së parë mund të mos marrë të dytën.

Është e rëndësishme të dëgjosh nga njerëz të tillë si Froehlich dhe Yamane rreth asaj që kanë kaluar dhe pse ata mbeten përkrahës të mëdhenj të vaksinës.

Personat e vaksinuar gjithashtu duhet të këshillohen për kujdesin në shtëpi (për shembull, merrni Tylenol ose ibuprofen për ethe dhe dhimbje).

Skenari  i makthit nuk janë  efektet anësore, por më tepër keqinformimi rreth tyre që mund të largojë njerëzit nga vaksinimi. Çdo vit, ka pacientë që refuzojnë vaksinën e gripit.

E njëjta gjë vlen  edhe për vaksinën e koronavirusit. Linjat e para të luftimit të keqinformimit janë mjekët, infermierët dhe farmacistët. Ka ardhur koha për t’i trajnuar ata se si të këshillojnë pacientët në lidhje me vaksinat e reja dhe të luftojnë mitet për  anti-vaksinat.

Pas kësaj vjen edhe një situatë tjetër makthi: Njerëzit do të vdesin për shkaqe të tjera dhe vdekjet do t’i atribuohen gabimisht vaksinës.

Shumica e njerëzve në azile janë të moshuar dhe kanë shumë kushte themelore shëndetësore. Disa do të sëmuren dhe do të vdesin. Vaksina nuk do të jetë shkak për vdekjen e tyre, por disa incidente mjaft të reklamuara mund të ushqejnë teoritë e konspiracionit.

Le të themi se dikush vaksinohet dhe më pas pëson një sulm në zemër. Sëmundja e zemrës është shkaku numër 1 i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, dhe individi mund të ketë pasur probleme të mëparshme që çuan në rezultatin tragjik.

Kursi kohor mund të ngrejë pikëpyetje. Çfarë ndodh nëse disa njerëz kanë sulme në zemër në ditët pasi vaksinohen- si mund ta vërtetojë dikush që vaksina nuk ishte shkaku?

Ka mënyra për të parashikuar dhe “zbutur”këtë shqetësim. Përpara vaksinimeve masive, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve mund të japin numrin bazë për sëmundjet  dhe viktimat midis banorëve të azileve.

Për më tepër, çdo efekt i  mundshëm anësor duhet të hetohet menjëherë, me transparencë dhe arsyetim të plotë për publikun. Përndryshe, dezinformimi do të plotësojë boshllëkun.

Me të paktën dy vaksina që duket të jenë të sigurta dhe jashtëzakonisht efektive, ekziston një shans i vërtetë që t’i japim fund pandemisë së koronavirusit deri në fund të vitit 2021.

Por që të ndodhë kjo, ne duhet ti besojmë vaksinave, por besimi mund të zhduket shpejt. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!