Dy shtetas shqiptarë janë dëbuar nga Serbia dhe iu është ndaluar hyrja në territorin e saj për një vit.
Edlira Lilaj nga Organizata “Help” dhe Gazmir Memaj nga “Mary Ward Loreto”, janë dy nga 14 personat të cilët janë ndaluar nga policia serbe me argumentin se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Dy përfaqësuesit e shoqërisë civile ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të marrë pjesë në një seminar mbi strategjitë që organizatat qeveritare mund të krijojnë te ardhura, i cili rezulton të ketë disa bashkëpunime edhe me fondacionin shoqëria e Hapur.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka thirrur ambasadorin Slobodan Vukcevic për ti shprehur shqetësimin mbi ndalimin e dy shtetasve shqiptare në Beograd.
“Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë.”
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Në reagimin e saj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se rasti është duke u ndjekur me vëmendje edhe nga ambasada shqiptare në Beograd./abcnews.al