Posta Shqiptare ka reaguar lidhur me procedimin e dy punonjësve të postës në Filialin Vishovicë, Devoll. Në reagim theksohet se Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë.
Dy punonjëset të moshës 29 dhe 27 vjeç u proceduan penalisht, pasi u raportua se kanë vjedhur nga fondi i postës një shumë prej 22 milionë lekë të reja.
Posta Shqiptare thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.
Gjithashtu shton se Institucioni distancohet nga çdo formë abuzimi me detyrën dhe mbetet i angazhuar maksimalisht për garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik
Reagimi i plotë:
Posta Shqiptare informon opinionin publik se, pas konstatimit të disa parregullsive në administrimin e fondeve financiare në Zyrën Postare Bilisht, Filiali i Postës Shqiptare Korçë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
Si rezultat i kontrolleve të brendshme të kryera nga strukturat përkatëse të institucionit, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për mungesë fondesh dhe parregullsi në dokumentacionin financiar. Për këtë arsye, Posta Shqiptare, nëpërmjet Filialit Korçë, ka depozituar zyrtarisht kallëzim penal pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar fillimin e procedimit penal për personin përgjegjës, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Posta Shqiptare siguron qytetarët se fondet e pensioneve nuk janë cenuar dhe shpërndarja e tyre vijon normalisht, pa asnjë ndërprerje, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit për të gjithë përfituesit.
Posta Shqiptare thekson se ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me organet e hetimit për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm.
Institucioni distancohet nga çdo formë abuzimi me detyrën dhe mbetet i angazhuar maksimalisht për garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik. Çdo shkelje e konstatuar trajtohet me seriozitet maksimal dhe referohet pa vonesë pranë autoriteteve kompetente.
Duke respektuar procesin hetimor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, Posta Shqiptare nuk mund të japë detaje të mëtejshme mbi çështjen në këtë fazë, por siguron publikun se po merren të gjitha masat e nevojshme për forcimin e kontrollit të brendshëm dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.


