“Dy popujt tanë shembull për komunitetin ndërkombëtar”, Erdogan: Do vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë

schedule17:17 - 10 Tetor, 2024

schedule 17:17 - 10 Tetor, 2024

TIRANË- Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, tha se Xhamia e Namazgjasë do jetë simboli i vëllazërisë mes Shqipërisë dhe Turqisë. Ai theksoi se dy popujt tanë i kanë qëndruar pranë njëri tjetrit.

“Njëkohësisht, dua të shprehem se Xhamia e Namazgjasë do të jetë simboli i miqësisë, i vëllazërisë dhe solidaritetit mes nesh. Dhe njëherë, këtu në mesin tuaj dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë vepër shumë madhështore që tashmë do të mahnisë të gjithë ata që e shikojnë, sidomos me qetësinë shpirtërore dhe integritetin e brendshëm të zemrës që i ofrojnë njeriut, tashmë është shndërruar në një vepër të paprecedentë.

Dua të theksoj një fakt këtu se prioriteti ynë është të thellojmë akoma më tutje marrëdhëniet tona, raportet tona vëllazërore, miqësore, kulturore me Shqipërinë për të cilën e kemi si detyrim që buron nga raportet e mira të vëllazërisë mbi themelet e sinqeritetit. Janë dy kombe, dy popuj, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur njëri-tjetrin në çdo rast, në çdo fatkeqësi dhe i kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit me të gjitha mundësitë.

Së fundmi, solidariteti i treguar nga populli turk dhe ai shqiptar gjatë fatkeqësive të tërmetit të ndodhura  në vendet tona ka dhënë një shembull konkret për mbarë komunitetin ndërkombëtar. Njëra nga veprat më bazike të këtij solidariteti shumë të sinqertë vëllazëror mes dy vendeve tona ka qenë spitali i miqësisë Turqi-Shqipëri i ndërtuar në qytetin e Fierit si dhe rezidencat apo shtëpitë e tërmetit të ndërtuara në qytetin e Laçit. Dëshiroj të theksoj faktin se përsa kohë do të vazhdojmë kështu me këtë raport vëllazëror, miqësor do të vazhdojmë tu qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë.”, tha ai./ abcnews.al