Dy policë të Rendit të prekur me Covid-19 në Tiranë, karantinohen 17 efektivë në të gjithë vendin

schedule17:08 - 14 Korrik, 2020

schedule 17:08 - 14 Korrik, 2020

Nga Xhensila Kodra

Dy punonjës policie në qarkun e Tiranës janë konfirmuar pozitiv me koronavirus. 7 të tjerë, vetëm në kryeqytet, janë vetëkarantinuar, nga 17 në total në të gjithë vendin. Të prekurit me Covid -19 janë efektivë të Rendit.

Virusin ata dyshohet ta kenë marrë gjatë punës së tyre në terren. Një prej të prekurve ndodhet i shtruar në Spitalin Infektiv. Autoritetet shëndetësore u kanë bërë tamponët edhe kolegëve e disa prej familjarëve të tyre, me të cilët efektivët e prekur nga virusi kanë pasur kontakte ditët e fundit.

Përveç 7 efektivëve të vetëkarantinuar në Tiranë, 6 të tjerë janë izoluar në banesat e tyre në Elbasan, 3 në Korçë dhe 1 në Berat. Punonjësit e vetëkarantinuar kanë pasur kontakte me kolegë e familjarë të infektuar me herët.

Për të parandaluar përhapjen në masë të Covid-19, në hyrje të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës funksionon tuneli dezinfektues. Qytetarët që futen në këtë godinë për të marrë shërbim nuk lejohen pa maskë.

Një tjetër masë e marrë këtë të martë për shkak të situatës së krijuar në vend është ankimimi që do të bëjnë qytetarët e kapur në shkelje të Kodit Rrugor. Ata do ta parqesin on line në e-albania për të evituar radhët e gjata në zyrat e Komisionit të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Administrative. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!