Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Durrësit ka sekuestruar një pasuri prej 2 milion eurosh të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Bëhet e ditur se është vënë nën sekuestro pasuria e Pëllumb Tudës, 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.
Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Ndërkohë, shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut.
Kush është Pëllumb Tuda
51-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë dhe ka dalë në pah të paktën në dy episode të rënda.
Tuda doli me leje nga burgu në korrik të vitit 2014 dhe plagosi dy persona në këtë qytet duke u arrestuar sërish.
Ai është denoncuar para 5 viteve nga banakjerja në lokalin diskon në pronësi të tij sepse ka dashur që ta prostituonte, dhe kur vajza e kishte refuzuar e kishte rrahur barbarisht.
Ajo Mësohet se vajza me iniciale M.P., ka shkuar në policinë e Durrësit djeshme me hematoma në sy, duke denoncuar punëdhënësin e saj, se në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar ta shfrytëzonte për prostitutë me klientë të lokalit.
Përplasja në Durrës
Rezulton se në 4 korrik 2014, rreth orës 02:00, shtetasi Shpëtim Mema ka shkuar në lokalin me muzikë live “C…”, në Lagjen 13 Plazh, Durrës. Roja privat i lokalit, Besnik Ruçi, e ka ndaluar të dyshuarin të hynte, pasi ka konstatuar se ai mbante me vete armë pa leje.
Në këto rrethana ka nisur debati mes rojës dhe të akuzuarit. Sipas akuzës, Shpëtim Mema ka kërcënuar me pistoletë rojën e lokalit duke qëlluar një herë në tokë.
Roja i lokalit, Besnik Ruçi, ka reaguar duke e goditur me grushte në fytyrë Shpëtim Memën, që është rrëzuar në tokë. I dyshuari më pas është larguar me automjetin e tij tip “Benz” me ngjyrë të zezë, ndërsa për ngjarjen ka marrë dijeni pronari i lokalit shtetasi, Pëllumb Tuda.
Më vonë, në orën 02:10, i dënuari Shpëtim Mema është rikthyer te lokali dhe kur ndodhej në pjesën e përparme ka filluar shkëmbimi i zjarrit me armë pistoletë mes shtetasve Shpëtim Mema dhe Pellumb Tuda.
Si pasojë e të shtënave kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit Besnik Ruçi dhe Pellumb Tuda, ndërsa i dënuari Shpëtim Mema është larguar nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar gjatë ditës, më datë 4 korrik 2014.
Gjatë hetimit, Prokuroria mori dijeni se Shpëtim Mema është dënuar me vendimin me nr.253, datë 6 prill 2011, nga Gjykata Durrës, me 10 vjet burgim, për vrasjen e shtetasit A.S. Apeli me vendimin nr.10-2012-314, datë 22.02.2012, e ka ulur masën e dënimit për Shpëtim Memën në 8 vjet burgim.
Këtë dënim i dyshuari ka filluar ta vuajë nga data 16.10.2012, kur është ekstraduar nga Italia dhe është dërguar në burgun e Rrogozhinës e më pas në Lushnjë.
Ditën kur ka ndodhur ngjarja në Durrës, i dënuari kishte marrë leje shpërblyese nga Drejtoria e Burgut përkatës. Sipas Prokurorisë, në gjykimin e parë ndaj të pandehurit ishte kërkuar në pretencë dënimi me 15 vjet heqje lirie.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin dhe janë përfitur nga veprimtaria kriminale.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro të dyshuara si të përfitura nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurminin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfitura nga veprimtaria mkriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit P. T., për veprën penale “Pastrimi i produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finanaciar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “Sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i drogave” dhe “Shfrytëzim Prostitucioni”.
Pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës.
Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 000 000 euro sipas çmimit të tregut.
Materialet shtesë i kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
/abcnews.al