Dy miqësoret kundër Kosovës, Cungu publikon listën e Shqipërisë U19

schedule12:13 - 12 Qershor, 2021

schedule 12:13 - 12 Qershor, 2021

Kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve do të nisë ditën e diel grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore që kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë ndaj Kosovës.

Djemtë e Armando Cungut do të grumbullohen në kompleksin “Tropikal” nga datat 13-18 qershor, teksa do të luajnë ndeshjen e parë më 16 qershor, në stadiumin “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 18:00. Sfida e dytë do të luhet më 18 qershor (10:00), po në stadiumin e Elbasanit.

Trajneri i Shqipërisë U-19, Armando Cungu ka bërë ditën e sotme publike listën me 25 lojtarëve të grumbulluar, shumica pjesë e kampionatit shqiptar. Cungu ka vendosur të grumbullojë në këto dy sfida 11 lojtarë që luajnë në kampionatet jashtë vendit.

Duke folur për fshf.org, trajneri shkodran shprehet se këtë herë do të ketë në grumbullim edhe lojtarë që aktivizohen me skuadra të huaja, gjë që ka qenë e pamundur gjatë muajve të kaluar për shkak të pandemisë.

Pas një periudhe të vështirë për shkak të pandemisë, më në fund do të kemi mundësi të bëjmë një grumbullim të plotë me Kombëtaren U-19. Janë dy ndeshje miqësore me Kosovën, sigurisht më shërbejnë mua si trajner, pasi jemi ende në fazën e kolaudimit të skuadrës.

 

Lista e lojtarëve të grumbulluar

Gjatë muajve të fundit ne kemi kryer seleksionime me lojtarët që aktivizohen me skuadra të kampionatit shqiptar dhe mund të them se kemi krijuar një ide të qartë për kontingjentin që kemi këtu në Shqipëri. Për shkak të pandemisë e kemi pasur të pamundur të shohim lojtarët e rinj që aktivizohen jashtë vendit dhe këto miqësore shpresoj të na shërbejnë pikërisht për të pasur këto elementë dhe për t’i parë në aksion nga afër“.

Më pas një koment për lojtarët që kanë ardhur nga jashtë. “Duke parë edhe rrethanat, nuk mund t’i kemi të gjithë lojtarët që do të doja në këto miqësore, qoftë për shkak dëmtimesh apo për arsye të tjera. Gjithsesi, unë uroj të marrim maksimumin dhe të kemi mundësi të shohim edhe elementë të rinj që mund t’i vlejnë kësaj skuadre në të ardhmen, por edhe ekipeve Kombëtare të moshave.

Mund të them se ka me dhjetëra lojtarë të rinj të talentuar, të cilët luajnë me skuadra jashtë vendit dhe synimi është të afrojmë sa më shumë elementë të vlefshëm për të përvijuar edhe formimin e grupit përfundimtar të Kombëtares U-19.

Uroj që situata të rikthehet sa më parë drejt normalitetit, sikurse edhe po ndodh, dhe ne të kemi mundësi të bëjmë sa më shumë ndeshje e testime për kombëtaren U-19 apo edhe pjesëmarrje në aktivitete zyrtare“.

Këto dy ndeshje miqësore do t’i shërbejnë Cungut si teste për skuadrën si dhe për të krijuar ide më të qarta rreth lojtarëve që do të formojnë grupin e nën 19-vjeçarëve dhe që mund t’i shërbejnë ekipit A në të ardhmen. /abcnews.al