Dy lojtarë të tjerë largohen nga Flamurtari

schedule19:21 - 19 Shkurt, 2019

schedule 19:21 - 19 Shkurt, 2019

Flamurtari mbetet me dy lojtarë më pak për shkak të krizës së rrogave. Mbrojtësi Albi Alla dhe argjentinasi Torasa do ta vazhdojnë karrierën në Kinë. Nuk kanë të ndalur largimet nga Vlora. Mbrojtësi Albi Alla nuk do të jetë as edhe zyrtarisht tashme pjese e Flamurtarit, madje duke konfirmuar gjithçka edhe në faqen e tij në Instagram.

Ai do ta vazhdojë karrierën në Kinë, ndërsa largohet duke falenderuar drejtuesit e klubit për mirëkuptimin. Alla largohet, pas vetëm 6 muajve, nga një klub ku nuk ka marrë rrogën, përveç këstit të fillimit të vitit, një problem që ka shkaktuar edhe shumë ikje të tjera nga skuadra.

Jo vetëm kaq, por bashkë me Allën pritet të largohet edhe mesfushori Torasa. Argjentinasi, gjithashtu, pritet të kalojë në Kinë, në të njëjtën skuadër me Allën, tek Janbian Funde që luan në kategorinë e dytë.

Asnjë nga futbollistët nuk ka qenë në stërvitje me Flamurtarin, në rinisjen e përgatitjeve për ndeshjen e radhës në Superligë ndaj Partizanit, dhe mësohet se Alla është në Kinë, për të finalizuar kontratën e re dhe për t’u prezantuar.

Po kjo vlen për Torasën, me të dy lojtarët që kishin vendosur të premten e kaluar si afatin e fundit të pritjes së tyre për të marrë rrogat. “Kush e ka radhën”, është pyetja që bën në rrjetet sociale, braziliani i vlonjatëve, Elton Kale, i cili ndoshta mund të jetë vetë ai që mund të braktisë. Nga Flamurtari janë larguar shumë lojtarë si Danilo Alvesh, Bushiç, Useini, Siljanovski, e tani Alla me Torasën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!