Dy Koretë me flamur të përbashkët në lojërat olimpike

schedule17:11 - 17 Janar, 2018

schedule 17:11 - 17 Janar, 2018

Sporti ka zbutur tensionet mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut. Qeveritë e tyre kanë vendosur të sfilojnë me një flamur të përbashkët në Lojrat Olimpike që zhvillohen muajin e ardhshëm.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë rënë dakord të marshojnë së bashku, me një flamur të përbashkët në Lojërat Olimpike të Dimrit që zhvillohen muajin e ardhshëm.

Gjithashtu, në takimin e parë ndërqeveritar të zhvilluar në fshatin Panmunjom, dy palët kanë rënë dakord të zbresin në fushë një skuadër të përbashkët hokeji për femrat. Këto janë bisedimet e para të nivelit të lartë që zhvillohen mes dy Koreve në dy vjet. Lojërat do të zhvillohen nga 9 deri më 25 Shkurt në një lokalitet të Jugut.

Nëse planet realizohen, rreth 230 nxitëse tifozësh, 140 muzikantë orkestre dhe rreth 30 atletë të disiplinës taekwando do të mund të kalojnë kufirin nga Veriu në Jug për të ndjekur eventin. Peniani ka rënë gjithashtu dakord që të dërgojë një delegacion më të vogël, prej 150 anëtarësh, në një tjetër kompeticion që do të zhvillohet në muajin Mars.

Por plani për një skuadër të përbashkët hokeji ka hasur në kundërshtimin e trajnerit dhe gazetave konservatore në Seul, që kanë deklaruar se një gjë e tillë mund të dëmtojë shanset e Koresë së Jugut që të fitojë medalje. Disa dhjetëra mijëra persona thuhet se kanë firmosur një peticion, përmes të cilit i bëhet thirrje presidentit Moon Jae-in që të anulojë planin.

Pa harruar këtu se propozimi duhet të aprovohet nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik që do të mblidhet në Lozanë të Zvicrës ditën e shtunë, pasi Veriu i ka shkelur afatet e regjistrimit dhe nuk është kualifikuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!