Dy avionë turq, shpërthim i fuqishëm mbi ishujt grekë

schedule10:57 - 1 Mars, 2021

schedule 10:57 - 1 Mars, 2021

Tensioni vijon i lartë mes Greqisë dhe Turqisë, ndërkohë që të dy vendet janë duke zhvilluar stërvitje të mëdha ushtarake në Egjeu.

Turqia është duke organizuar flotën e saj në veri të detit Egje, ndërsa grekët bashkë me francezët janë pozicionuar rreth Kretës, ndërkohë që në Aleksandropulos po stërviten bashkë me amerikanët.

Mediat greke raportojnë se sëfundmi mbi ishujt grekë Chios dhe Samos është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm, i cili ka trembur mjaft banorët e zonës. Këta të fundit kanë telefonuar më pas policinë, përcjell abcnews.al.

Siç raportohet, në momentin që u dëgjua shpërthimi në zonë kaluan dy avionë F-16 turq, të cilët tejkaluan shpejtësinë e zërit duke shkaktuar pikërisht shpërthimin në fjalë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Greqisë nuk ka dhënë ende asnjë informacion mbi këtë shpërthim që u dëgjua.

“Lojëra” lufte në Egje

Egjeu Lindor është kthyer tashmë në një teatër ku aktorë të ndryshëm rajonalë por edhe botërore janë duke treguar forcën e tyre ushtarake për qëllime të ndryshme.

Ndërkohë që SHBA-të dhe Greqia kanë njoftuar kryerjen e një stërvitjeje të përbashkët në kuadër të NATO-s nën emrin “Defender Europe 21”, ku pritet angazhimi i më shumë se 140 helikopterëve dhe mijëra forcave ushtarake, në zonë po futet sërish Franca me armën e saj më të fuqishme detare, pikërisht aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, raporton abcnews.al.

Lexo edhe: Ushtria amerikane dhe greke zbarkon me qindra helikopterë e ushtarë pranë kufirit turk

Mediat turke raportojnë se aeroplanmbajtësja franceze është nisur tashmë me 20 avionë të avancuar “Rafale” dhe do të pozicionohet për kryerjen e disa manovrave në Egjeun Lindor para se të kalojë në Detin e Kuq dhe më pas në Oqeanin Indian.

“Kjo është një mbështetje e hapur ndaj Greqisë dhe interesave të saj në rajon”, shkruan “Milliyet“, ndërsa thekson se edhe disa anije amerikane janë tashmë në zonë duke transportuar 146 helikopterë dhe forcat ushtarake që do të marrin pjesë në stërvitjen e madhe në Aleksandropulos, 20 kilometra larg kufirit turk.

Ndërkohë, Turqia nga ana e saj ka nisur përgatitjet për stërvitjen detare në Egje duke angazhuar 28 anije dhe një numër të madh ushtarësh. /abcnews.al