Dy akuza mbi Orgest Bilbilin, dëshmia e policit: Qëllova drejt tij dy herë, kur më drejtoi armën

schedule15:41 - 17 Dhjetor, 2020

schedule 15:41 - 17 Dhjetor, 2020

Nga Glidona Daci

Gjykata e Penale e Tiranës ka vendosur që të kalojë për gjykim çështjen penale në ngarkim të Orgest Bilbilit. Nga gjykata e kryeqytetit ai do të gjykohet vetëm për dy vepra penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”.

Bilbili u prangos më 10 prill të këtij viti kur vendi ishte në karantinë, nga një polic i vetëm në afërsi të shkollës “Niket Dardani”. Ndërkohë Bilbili po gjykohet edhe në Gjykatën e Posaçme për disa ngjarje të tjera kriminale. Në kërkesën për kalimin e dosjes për gjykim të Prokurorisë së Tiranës të cilën ABC e disponon të plotë është e zbardhur e gjithë ngjarja.

Që nga konstatimi nga ana e policisë, i dy personave që po kryenin lëvizje të dyshimta, ndjekja, për ti verifikuar dhe më pas prangosja e 30 vjeçarit, nga efektivi i forcave “Shqiponja”. Në deklarimet e tij punonjësi i policisë tregon se e ka ndjekur 30 vjeçarin hapa pas hapi në rrugën “Sitki Çiço”, duke i bërë thirrje vazhdimisht që të ndalonte.

Gjithashtu shpjegon se ka qëlluar në drejtim të tij dy herë vetëm në momentin kur i dyshuari i kishte drejtuar armën dhe tentonte të largohej.  Orgest Bilbili u plagos në pjesën e barkut por në asnjë moment nuk ju rrezikua jeta nga plumbi që doli nga arma e policit.

Bilbili po ashtu thuhet në dosje se ka bërë rezistencë gjatë prangosjes dhe efektivët nuk ja kanë kaluar dot duart pas shpine. 30 vjeçari në këtë moment ka thyer edhe celularin e tij. Në këtë ngjarje mbeti e plagosur në këmbë edhe një kalimtare e rastit.

Ndërsa Anterjo Kaloshi mundi që t’i shpëtonte arrestimit më 10 prill, pasi polici që e ndiqte,  kur dëgjoi të shtënat, u kthye për të ndihmuar kolegun. Kaloshi u prnagos disa muaj më vonë i ndyshuar për një ngjarje në Pogradec. Orgest Bilbili, është dënuar më herët për trafik drogë, ndërsa dyshohet se është autori i disa vrasjeve në Lushnje si edhe krimeve të tjera të rënda. Ai u shpall në kërkim tetorin e 2017-ës së bashku me Laert Haxhiun, të dyshuar si autorë të masakrës së ndodhur në këtë qytet, ku mbetën të vrarë dy persona, ndërsa objektiv dyshohet të ketë qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!