Dy aksidente të rënda rrugore në Itali

schedule16:59 - 6 Gusht, 2018

schedule 16:59 - 6 Gusht, 2018

Përplasja e një cisterne që transportonte material djegës me disa automjete ka shkaktuar një seri shpërthimesh zinxhir në një autostradë të Italisë. Ngjarja ka ndodhur fare pranë qytetit të Bolonjës dhe për pasojë dy persona kanë vdekur dhe mbi 60 të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve janë dërguar në spital për shkak të asfiksimit nga flakët. Sipas mediave italiane, mes të lënduarve janë edhe 11 karabinierë dhe 2 agjentë të policisë rrugore, por bilanci është ende provizor.

Zjarri i shkaktuar nga shpërthimi i cisternës ka përfshirë edhe disa makina që ndodheshin aty pranë, të cilat kanë shpërthyer gjithashtu. Nga impakti është shembur pjesërisht një urë, pjesë e autostradës dhe janë thyer xhamat e disa shtëpive përreth. Ndërkohë, një aksident tjetër i ndodhur po këtë të hënë në Itali u ka marrë jetën 10 personave. Ngjarja ka ndodhur në Foxha, në rajonin e Pulias, kur një furgon që transportonte punëtorë të fushave është përplasur me një kamion që transportonte domate. Sipas mediave italiane, viktimat janë emigrantë, kryesisht nga vendet afrikane, të cilët po ktheheshin në shtëpi pas punës në kampet bujqësore./abcnews.al