DW: Mali i Zi, në zgjedhje nën hijen e dy blloqeve që ndajnë dy botë

schedule15:00 - 29 Gusht, 2020

schedule 15:00 - 29 Gusht, 2020

Të dielën (30.08) në Mal të Zi zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe, synon me ngulm ndërrimin e pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen në atmosferën e një hendeku mes bllokut promalazez dhe atij proserb, që u thellua pas miratimit dhjetorin e kaluar të ligjit për liritë fetare, të pasuar me konflikte mes shtetit dhe kishës.

Themenbilder Wahl in Montenegro: Milo Djukanovic und Dusko Markovic (Gov.Me/S. Matic)
Milo Gjukanoviç dhe Dushko Markoviç

Ndërsa PDS i quan zgjedhjet vendimtare për mbrojtjen e sovranitetit të Malit të Zi nga nacionalizmi serbomadh dhe kisha ortodokse serbe, për opozitën ato janë vendimtare për mbrojten e kishave dhe vendeve të shenjta. Me ndihmën e kishës ortodokse serbe, koalicionet opozitare „Për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe „Kombi ynë është paqja” synojnë të fitojnë mbështetës dhe të rrëzojnë, siç shprehen, diktaturën 30 vjeçare.

Mobilizim i votuesve proserbë

Ligji i lirisë fetare, i cili u pasua me organizimim e rregullt të liturgjive protestuese në rrugët e qyteteve, me mbështetjen e opozitës, por edhe të qytetarëve, ka influencuar sipas analistëve një pjesë të elektoratit besimtar ortodoks, mbështetës të DPS. Studiuesi i opinionit, Milosh Beshiç thotë për DW: „Ky ligj i ka motivuar zgjedhësit proserbë që të dalin për të votuar dhe ka demotivuar një pjesë të votuesve të partisë së Gjukanoviçit, të cilët janë të lidhur me kishën ortodokse serbe”.

Kisha ortodokse serbe është përfshirë direkt në fushatë. Metropoliti Amfilohije u shpreh, se për herë të parë do të marrë pjesë në zgjedhje në moshën 82 vjeçare dhe i bëri thirrje popullit të votojë kundër pushtetit. As qeveria nuk rri duarkryq dhe mobilizon votuesit e vet.

Lideri i DPS, Gjukanoviç iu përgjigj me fjalët, se do të fitojë në votimet e të gjitha strukturave, edhe të atyre që në flamur kanë kishën. Ndërsa kryeministri dhe bartësi i listës së DPS në pushtet Dushko Markoviç rriti tensionet me fjalët „Të dielën do t’i përgjigjemi opozitës dhe pas humbjes në votime kisha ortodokse serbe dhe priftërinjtë e saj do të kthehen në manastire e kisha dhe se për ata priftërinj që i mallkojnë ata dhe Malin e Zi do të hapë kufijtë t’i kthejë në shtëpitë e tyre.”

Themenbilder Wahl in Montenegro: Opposition (Democrats)
Koalicioni opozitar i udhëhequr nga demokratët

Sipas anketimeve, DPS e presidentit Gjukanoviç ashtu si dhe opozita nuk sigurojnë dot më shumë se gjysmën e mbështetësve. Vlerësimet e instituteve për hulumtimin e opinionit nuk bëjnë dot një parashikim të qartë për fituesin. Edhe pse DPS thotë se anketimet janë të pasakta dhe se do të fitojë.

Pushteti mund të varet nga partitë e vogla

Për fitoren e partisë qeverisëse PDS rol ndihmës mund të luajnë partnerët tradicionalë, partitë e pakicave. Në këto rrethana vota e shqiptarëve është me rëndësi për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kërkoi popullit të Malit të Zi të mbështesë Milo Gjukanoviçin dhe Listën Shqiptare (partnere në koalicionin qeverisës) në Mal të Zi. Mbështetjen për Listën Shqiptare e kërkoi edhe presidenti i Kosoves Hashim Thaçi. Pas pamundësisë për të dalë në zgjedhje së bashku shqiptarët përfaqësohen nga dy koalicione, nga Lista shqiptare dhe nga koalicioni „Bashkë një Za”, që me programin e tij politik synon përfaqësimin proporcional në nivel shtetëror në Mal të Zi.

Edhe partitë më të vogla qytetare SDP dhe URA mund të luanin rol ndihmës në rast të fitores së partive opozitare. Ato kritikojnë stanjacionin ekonomik, korrupsionin, si dhe faktin që pushteti nuk është ndërruar prej 30 vjetësh.

Montenegro Proteste gegen Religionsgesetz (Dijana Savović)
Protesta antiqeveritare kundër ligjit për fenë në Mal të Zi – Peshkopi Amfilohije dhe krerë të kishës ortodokse serbe (qershor 2020)

Rezultati varet nga dalja në votime

Rezultati i këtyre votimeve, që konsiderohen si më të rëndësishmet që pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi në 2006, është më i paparashikueshëm se më parë. Analisti Milosh Beshiç thotë për DW se një nga faktorët kryesorë deri tani ka qenë dalja në votime. Kur ajo ka qenë e ulët, partia në pushtet ka fituar lehtë, por kur ajo ishte mbi 70%, ishte e paqartë, shpjegon ai. „Kësaj rradhe mund të ndodhë që votuesit e DPS (në pushtet) të abstenojnë dhe opozitarët të dalin në numër më të madh.”/DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!