Rikthehet problematika e plehrave në Durrës. Për shkak të mungesës së një marrëveshje mes Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Financave dhe Landfilld-it të Sharrës, qyteti është mbytur nga plehrat.
Landfilldi i Sharrës lejoi për rreth dy javë depozitimin e mbeturinave të Durrësit dhe Shijakut. Por këtë të premte mbylli sërish dyert, pasi Bashkia dhe Ministria e Financës nuk kanë hartuar ende një marrëveshje financiare për përpunimin e mbeturinave.
Veç pamjes aspak dinjitoze të një qyteti që është në pritje të turistëve, nëpër rrugë kundërmon aromë e keqe dhe mikrobet po përhapen me shpejtësi.
“I gjithë qyteti është me plehra. Na ka ardhur në majë të hundës plehra janë dhe në bashki”, thotë një qytetare.
“Është behar dhe ne jemi qelbur, jemi të sëmurë duhet bërë patjetër pastrimi”, shprehet një tjetër qytetare.
Ndërsa edhe për turizmin pamja me plehra të vret sytë, ka treguar një tjetër banore e kësaj zone e cila shton se plehrat janë problematike edhe në dimër.
“Në dimër nuk durohen jo më në vapë. Na dëmton nga ana shëndetësore edhe për turistët kjo pamje të vret sytë”, thotë ajo.
Është viti i dytë që në nisje të sezonit turistik rrugët e Durrësit mbushen me plehra. Nëse deri pak kohë më parë mbeturinat u dërguan në Sharrë dhe Bashkia e Durrësit përballoi përkohësisht faturën financiare që ju subvencionua nga Ministria e Financës, por tani e ka të pamundur që të paguajë.
Ajo ka marrë përsipër të paguajë vetëm grumbullimin dhe transportin e plehrave drejt Sharrës, shifër që kap vlerën e 5.5 milion eurove në vit. Ndërsa kostot e përpunimit në Landfill kërkon që ta paguajë qeveria./abcnews.al/