Durrës/ Morën me qera apartamentin dhe e përshtatën për prostitucion, në kërkim 2 shtetase kineze, procedohen 7 të tjerë

schedule09:15 - 10 Janar, 2025

schedule 09:15 - 10 Janar, 2025

Zbulohet një “fole” prostitucioni në Durrës. Gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia është zbuluar një ambient i marrë me qira dhe që ishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit. Në kërkim janë shpallur dy shtetase kineze ndërsa janë proceduar penalisht dhe 7 shtetas të tjerë.

Finalizimi i operacioni “Storm 2”, është bërë pas një hetimi 1 mujor.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Trafikimi i personave të rritur”, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm 2 ”, në kuadër të të cilit:

-u shpallën në kërkim shtetaset 38 vjeçe dhe 46 vjeçe, banuese në Kinë;

-nisi procedimi penal për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit: 42 vjeçe dhe 35 vjeçe, të dyja banuese në Kinë; një 21 vjeçar, banues në Gjermani; 30 vjeç, 24 vjeç, 34 vjeç dhe 29 vjeçari, të gjithë banues në Durrës.  Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetaset kineze të shpallura në kërkim shfrytëzonin për prostitucion, 2 shtetaset e tjera kineze, në ambientin që e kishin marrë me qira këto 2 të fundit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 7 celularë, 2 pasaporta dhe sende të tjera”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!