Duro: Tirana veç një herë më ka mundur, Vllaznia 99% kampione

schedule15:53 - 25 Janar, 2021

schedule 15:53 - 25 Janar, 2021

Shpëtim Duro, trajneri i Laçit, pas duelit të kurbinasve me Tiranën në transfertë, ka folur në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, për vetë momentin që ndodheshim. Moralisht ishim të rënduar. Punuam psikologjikisht, për të reaguar që ka vlera. Është ajo skuadër që ka luajtur me të fortat. Sot tregoi vlerat gjatë gjithë ndeshjes”.

“Fjala arkë kursimi është e rëndë. Bilancin me Tiranën e kam pasur pozitiv. Më mundën vjet me Kukësin, ajo ndeshje që më kushtoi titullin. Në 10-15 vite e kam bilancin pozitiv me të”, tha mes të tjerash Duro pas ndeshjes që Laçi e fitoi me një gol të Mentor Mazrekajt.

“Jo vetëm se shënoi, por është futbollist që është më mirë fizikisht se kur ishte te Partizani. Skuadra lirohet kur ai merr topin. Është lojtari më i rëndësishëm për momentin. Sa i takon Nëabueze, është ndeshja e dytë që luan me mua. Ishte në dyshim sot, por me atë terren të vështirë jam i kënaqur me të”.

“Rastet e humbura? Nuk jam shumë i kënaqur, pasi mërzitja ime vazhdon për pikët e lëna me Skënderbeun dhe Apoloninë. Sot ishte reagim, kundër një ekipi si Tirana. Kam folur për ndeshjen me Apoloninë, ku arbitri ndikoi. Me Skënderbeun luajtëm mirë dhe u goditëm në një moment.

Skuadra të tilla të hapin probleme. Më kënaq loja dhe reagimi. Nuk pësuam gol, por e vërtetë është se duhet ta kishim mbyllur ndeshjen. Kishim shumë raste. Në pushim skuadra ishte e bindur që do shënonte. Kishim situata shumë para porte”.

“Pikët e lëna nuk rikuperohen, por jam i gëzuar për fitoren me Tiranën. Pikët nuk kthehen pas. E kam marrë skuadrën në vendet e fundit, u ngjitëm. Nuk duhet të gabojmë, pasi Vllaznia nuk ka gabuar. E shoh të vështirë ta kapin edhe Partizani e Teuta. E shoh të vështirë që skudrat të kenë vazhdimësi fitoresh”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!