Shpëtim Duro debutoi me barazim në krye të Laçit. Kurbinasit shmangën humbjen kundër Teutës, pasi durrsakët kishin shënuar të parët dhe Nwabueze me penallti i ndëshkoi. 1-1 dhe skuadrat morën nga një pikë. Në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport Duro u shpreh kështu:
“Doja të isha në ndeshje prezent, edhe pse dje nisa stërvitjen. Jam trajner që e njoh ambientin, futbollin shqiptar. Nuk kishte kuptim mos ta drejtoja skuadrën. Jam i kënaqur, pasi ishte ndeshje shumë e vështirë me Teutën. U duhej fitorja me çdo kusht. Kjo pikë nuk është shumë për në klasifikim, por vlen për moralin. Kampionati është i gjatë, të shohim se si do të shkojë në vazhdim”.
“Laçi nuk ka ndryshuar shumë nga vjet, është përforcuar, një skuadër e mirë që nuk e ka nisur si duhet. Kanë lënë pikë, por ka qenë çështje fati. Do ishin shumë më lart. Ekipi ka kualitete, por ka ngërç psikologjik. E patë që në fillim ishte e ngarkuar dhe pas golit ndryshoi gjithçka”.
“Ku mund të shkojë Laçi? E thashë, ka qenë çështje fati. E dimë që kur nuk ka rezultate, edhe pse s’ka përgjegjësi trajneri, ai e merr. Ka ndodhur me Cungun, me mua e me shumë trajnerë”.
“Raporti me presidentin? Që pas largimit nga Kukësi, duke parë edhe situatën e vështirë, nuk e kam pasur me ngulm të nisja. Është hera e parë që punoj me presidentin e Laçit, por ka vite në Superiore. Është një nga ata që bën shumë për klubin. Normal çdokush ka të meta, edhe unë, edhe presidenti. Kam marrëdhënie të mira miqësore. Normal në punë ka edhe debate dhe nuk dua të prishet miqësia. Uroj të ecë mirë puna. Futbolli nuk parashikohet asnjëherë”.
“Moduli? Ndryshova vendosjen, pasi ishte decizive me Teutën. U duhej fitorja patjetër atyre. Punova edhe dje në stërvitje me këtë modul, për të vendosur ekuilibra. Vendosa Xhixhën pranë Nwabueze që të sulmonin qendrat e Teutës. Funksionoi mirë, veç 10 minutave të para. Në pjesën e dytë ndryshova, me Teco e Xhixha anësorë. Jam i kënaqur, e përgjithshmja është pozitive”. /abcnews.al

