Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, e vlerësoi si të vështirë fitoren ndaj Teutës, ndërsa shtoi se gara për titull do të jetë e fortë. Presidenti Gjici, ndërkaq, pati vërejtje pavarësisht suksesit 4-0.
Një fitore nga 11 metra larg, por gjithsesi sukses. Në këtë mënyrë, me 3 penallti në favor, Kukësi mori kryesimin e Superligës, dhe trajneri Shpëtim Duro u shpreh i kënaqur. Gjithsesi, tekniku tiranas gjykon se gara për titullin kampion pritet të jetë e fortë.
E rëndësishme ishte fitorja, pasi kishim përballë një kundërshtar të rrezikshëm si Teuta. Në këtë aspekt mendoj se ishte pozitive, pasi arritëm ta kontrollojmë ndeshjen, me përjashtim të disa momente. Është herët akoma të flasim për titullin, duhet të mbajmë ritmin gjatë gjithë kampionatit”.
Çfarë mendon Duro për 3 penalltitë e dhëna në favor? “Nuk ka asnjë diskutim. Arbitri nuk kishte as ku të lëvizte, pasi ishin neto. Kjo ishte arsyeja pse i dha”, deklaroi Duro pas ndeshjes me Teutën. Tanimë në kampin verilindor mendojnë për sfidën me Vllazninë, në transfertë.
KREU I KLUBIT – Presidenti Safet Gjici duhej të kishte mbetur tepër i kënaqur me suksesin dhe kryesimin, por ai sërish e shprehu ndonjë vërejtje. “Ëshët mirë kur je në krye, por është shumë vështirë për ta mbajtur. Kështu që kemi një ndeshje të vështirë tani me Vllazninë. Nuk duhet të kalojmë në eufori, pasi ndeshjet nisin e bëhen edhe më të vështira.
Patjetër edhe lodhja ndihet, sepse janë tre ndeshje brenda javës. Pres që ekipi, me kapacitetin që ka, të japë më shumë. Gjithsesi kur fiton nuk ke çfarë thua”, deklaroi Gjici. Kukësi kryeson renditjen e Superiores me 27 pikë, me dy pikë më shumë se Laçi e Partizani që e ndjekin. /abcnews.al