Kreu i SPAK, Altin Dumani është shpallur kampion i antikorrupsionit për vitin 2024 nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një ceremoni të zhvilluar në DASH, me praninë e Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, Dumani ishte mes 10 emrave për kampion global të antikorrupsionit.
Për këtë lajm u diskutua edhe në emisionin “Real Story”, ku Pandeli Majko e cilësoi si një arritje të SPAK ndërsa analisti Skënder Minxhozi tha se tashmë thirrja ‘Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa’ po merr zbatim.
Duke u ndalur te fakti që SPAK po godet edhe nga radhët e PS, Majko shtoi se partia e tij mirëpret punën që po bëhet, ndryshe nga palët e tjera, që e cilësojnë si organizatë kriminale. Por Minxhozi shtoi se teksa numrat në radhët e PS që hetohen nga drejtësia po rriten, partia duhet të marrë përgjegjësi.
Pjesë nga diskutimi:
Pandeli Majko: Besoj që DASH ka opinionin e vet për atë që ndodh në Shqipëri. Mendoj se është arritje për SPAK. Tek e fundit, po ta jep një shtet që të ka ndjekur hap pas hapi në çdo lloj standardi. Për të filluar me aludimet që Amerika është e ndarë, nuk ka kuptim.
Skënder Minxhozi: Pas 34 vjetësh, thirja e studentëve ta bëjmë hqipërinë si e gjithë evropa po merr një farë zbatimi.
Sokol Balla: Megjithatë duket se ka prodhuar një kosto jo të vogël kjo lufta kundër korrupsionit, që e keni mbështetur pasi jeni forca që e keni promovuar refomën në drejtësi.
Pandeli Majko: Jo vetëm që ka goditur radhët e PS po ka bërë vaki që kemi mbetur edhe pa tekst, në kuptimin që miq dhe shokë, nuk hyj te ata që dua të dal këtu dhe të them se mbrojtja është personale. Më ka dhimbur për secilin. Mendoj se është njëra anë e problemit por nga ana tjetër është se PS pranon sistemin. Sistemi dhe ligji është shkruar ashtu siç është shkruajtur me ndihmën e perëndimoreve dhe mendoj se kjo është një diferencë shumë e madhe që kemi me palët e tjera. Fakti që palët e tjera e marrin më tepër me agresivitet, e shpallin SPAK organizatë kriminale, kjo pastaj e kalon në plan të dytë faktin se sa socialistë janë goditur sot nga sistemi. PS është parti që pranon sistemin dhe në këto zgjedhje ndarja do të jetë midis një pale që pranon sistemin, që qeveris pa akuzuar sistemin dhe pala tjetër është që po fitoi zgjedhje një zot e di se çfarë ka për të ndodhur me këtë histori. Nuk po them që ne jemi engjëjt. Ne jemi njerëz që bëjmë gabime dhe secili do të japë llogari, por të shpallësh strukturën kryesore të drejtësisë si organizatë kriminale është jashtë çdo lloj logjike.
Skënder Minxhozi: Është konstruktive dhe bashkëpunuese që të thuash se SPAK është i mirëpritur dhe të më hetojë, por vjen një moment që ndryshimet sasiore sjell edhe ndryshime cilësore. Mos të bëhet pyetja që mirë ajo që bën Dumani dhe ajo që bëni ju si socialist çfarë është. Një qytetar i thjesht sheh që juve ju hynë radhë ministrat, deputetët apo kryetarët e bashkive dhe iu hetohen. Problem sesi e keni bërë procesin e selektimit. Këto ishin burra të mirë, u prishën gjatë rrugës. Kjo na tregon që PS ka qenë me largpamësinë dhe vullnetin unikal në këto 30 vite për t’i dhënë jetë një formati, një skeme dhe reforme institucionale më e thella në 30 vite, që ka sjellë futjen e një pale të jetë në lojë fuqishëm. Kur listat zgjatet, përgjegjësia politike e partisë nuk është më indiferente. Nuk mund të thuhet fraza që është individuale dhe ne jemi në rregull. Jo, jeni grup. Jeni votuar. Nuk dihet se ku shkojnë përmasat, dhe nuk mund të thuash gjithë kohës unë i them Dumanit, eja më heto./abcnews.al