Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, komentoi Arenën e re Kombëtare dhe suksesin e trajnerëve italianë në kombëtare, në një intervistë për revistën e njohur “Forbes”. Duka deklaroi se projekti më i rëndësishëm i Federatës sot është ndërtimi I 100 fushave të futbollit në të gjithë Shqipërinë
Nga 2012-ta deri më sot kanë kaluar 8 vjet. Stadiumi kombëtar i Shqipërisë në atë kohë quhej “Qemal Stafa”, një lavdi e vjetër, por pa standarde, ndërsa ideja ishte për të ndërtuar një tjetër. Këtë histori e kujton Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, në intervistën e dhënë për revistën e famshme amerikane “Forbes”, veçse për variantin e saj italian.
Përtej debatit që nuk do të shuhet kurrë, nëse duhej rikonstruktuar lavdia “Qemal Stafa” e stadiumi i ri të ndërtohej diku tjetër, apo të veprohej kështu siç u bë, realitet është varianti dytë, që vetë Duka e quan më të mirin.
“Federata sot zotëron pjesën sportive të stadiumit, me standardet më të larta të mundshme, një biletë për të vizituar Shqipërinë, – thotë Duka, – stadiumi i projektuar nga Marko Kazamonti është kthyer në një destinacion turistik”.

“Forbes” e pyet Dukën edhe për suksesin e kombëtares shqiptare, që arriti finalet e Euro 2016-ës, dhe kuptohet që presidenti e quan si kulmin e tij dhe të ekipit përfaqësues. Nga gazetari italian Alesandro dal’Onda nuk mund të mungonte pyetja për dinastinë e trajnerëve italianë në kombëtare, sidomos për De Biazin dhe Rejën.
Duka nuk ngurroi ta cilësonte shkollën italiane të trajningut si më të mirën në botë, ndonëse në kombëtare ishin edhe Dosena e Panuçi, gjithashtu nga Italia, por që u larguan pa lënë gjurmë. Një nga pikat më të rëndësishme të intervistës për “Forbes” ishte theksimi i projektit të Federatës për të ndërtuar 100 fusha futbolli në të gjithë Shqipërinë, projekt që sipas burimeve në institucionin e futbollit është dërguar në qeveri, por nuk ka marrë përgjigje.
“Në Shqipëri ka shumë më tepër fëmijë që merren me futboll sesa fusha futbolli”, – ishin fjalët e Dukës. Ai e cilëson si projektin më të rëndësishëm, ndonëse me gjasë i vonuar pasi kriza e infrastrukturës në Shqipëri ka dekada që ekziston, ndërsa nuk dihet nëse Federata do të ushtrojë presionin e duhur dhe qeveria do të ketë ndjeshmërinë e duhur për ta realizuar me sukses. /abcnews.al