Duka që shkel rregullat e qarkullimit

schedule13:43 - 20 Janar, 2019

schedule 13:43 - 20 Janar, 2019

Hije skandali kanë përfshirë Dukën e Edinburgut pak ditë pas një aksidenti që e la të lënduar. Mediat britanike kanë zbuluar se anëtari i familjes mbretërore nuk po respektonte rregullat e qarkullimit rrugor.

Duka i Edinburgut, i cili pak ditë më parë u përfshi në një aksident rrugor në Norfolk, nuk po respektonte rregullat e qarkullimit. Disa foto të publikuara në tabloidet britanike tregojnë se 97-vjeçari po udhëtonte i vetëm me mjetin e tij pa vendosur rripin e sigurimit. Të dielën anëtari i familjes mbretërore është marrë në pyetje nga policia, e cila i ka dhënë këshilla sa i takon respektimit të rregullave.

“Ia kemi thënë me fjalët më të qarta në mënyrë që ai ta kuptojë”, ka deklaruar një zëdhënëse.

Ndërkohë, një vajzë që mbeti e lënduar nga aksidenti ka deklaruar se Duka nuk i ka kërkuar falje. Por një zëdhënës i pallatit mbretëror ka deklaruar se me të lënduarën është vendosur kontakt për t’i uruar shërbim të shpejtë. Në aksidentin e ndodhur të enjten, mjeti tip “Land Rover” i përdorur nga Duka u kthye pjesërisht përmbys pasi u përplas me një “Kia”. Duke reaguar, Pallati Buckingham në Londër bëri me dije se një mesazh ku inkurajohej shërimi i shpejtë i ishte dërguar si drejtuesit të mjetit edhe të lënduarës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, si drejtuesit edhe pasagjerët duhet të mbajnë rripin e sigurimit nëse udhëtojnë në rrugë publike, me përjashtim të rasteve të emergjencës; gjithashtu, një person që kapet pa rrip sigurimi mund të përballet me një gjobë që në bazë të rrethanava varion nga 100 deri në 500 paund. I vetmi aspekt pozitiv i ndëshkimit është se drejtuesve të mjeteve nuk u hiqen pikë nëse bëjnë një shkelje të tillë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!