Presidenti i FSHF-së, Armand Duka priti sot në një takim zyrtar Agim Ademin, kreu e futbollit kosovar, së bashku me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Kosovës. Duka foli për mediat pas takimit të kryer me homologun dardan, aty ku preku disa tema.
“Jam i gëzuar që prita presidentin e Federatës së Kosovës, si dhe gjithë anëtarët e FFK-së. Ishte një vizitë e programuar. Megjithëse kjo nuk është një ditë shumë e bukur për ne shqiptarët, për ngjarjet që kanë ndodhur dje, për disa nga drejtuesit e UÇK-së të cilët kanë shkuar para drejtësisë në Hagë.
Unë jam i gëzuar që jemi bashkë për të shkëmbyer eksperienca mes komiteteve ekzekutive. Kemi projekte dhe programe të përbashkëta, të nivelit manaxherial, për bashkëpunimin e menaxhimit të dy federatave, të nivelit të përgatitjeve të trajnerëve dhe arbitrave.
Projekti madhor ishte organizimi i një Kupe të Përbashkët, e cila nuk u kurorëzua për arsye të COVID-it. Është objektiv që do ta realizojmë në vitet në vazhdim.
Bashkëpunim është dhe ndeshja që do të zhvillojmë në datën 11 për ndeshjet zyrtare të dyja skuadrave, që uroj të kenë rezultatet sa më pozitiv. Futbolli është lojë dhe në një lojë, gjithkush ka dëshirë të fitojë. Uroj që për të dy stafet ajo të jetë një vëllazërore që t’i shërbejë lojës për ndeshjet zyrtare.
Ne kemi kërkuar kemi marrë përgjigje negative. Kemi vazhduar të insistojmë, duke parë nivelin në rritje të COVID-it, duket e vështirë. Uroj që në ditë të mira të kemi 20-30% të tifozëve, të paktën në ndeshjet zyrtare.
Nuk kemi pasur gjë konkrete gjatë kësaj jave. Shpresoj që brenda këta vitit të kemi realizuar ato kërkesat që kemi pasur“, theksoi kreu i futbollit shqiptar. /abcnews.al

