Duka: Nuk kemi konsultime me Bashën, jemi pro “Territoriales” dhe Kodit të ri Zgjedhor

schedule19:50 - 5 Tetor, 2021

schedule 19:50 - 5 Tetor, 2021

Mes opozitës nuk ka një bashkërendim në lidhje me qëndrimet e e saj pas 25 prillit. Këtë e konfirmoi në Radarin Informativ përballë gazetares Jonida Shehu kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka. Duka deklaroi se partitë e vogla janë mënjënuar pas përplasjes së brendshme që po ndodh në PD mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Nëse nuk do ishte kjo që ndodhi, do ishte më mirë sepse do ishte më unike PD-ja. Natyrisht edhe opozita do ishte edhe më e fortë. Ka një shans mendoj unë nëse kjo betejë vazhdon në rrafshin politik dhe në rrafsh idesh mund të mos sjellë përçarje të mëdha. Ndoshta në të ardhmen do dalë më e fortë. Nëse kalon në problem personale, siç ka ndodhur, kjo mund të sjellë pasoja të mëdha. Duke qenë se PD ka një problem të madh, jemi të mënjenuar. I kemi lënë dhe na kanë lënë të qetë”, u shpreh ai.

Në lidhje me komisionet hetimore të ngritura nga PD, Duka u shpreh se i kanë marrë vesh ato përmes medias, por nënvizoi se do ishte e udhës që opozita të mblidhej në një tryezë për të bashkërenduar qëndrimet e saj.

“Nuk kemi bashkërendim pozitiv. Edhe në ato pak seanca që kemi bërë vendimet që kemi marrë i kemi marrë individuale. Për komisionet e PD i marrim vesh në media. Nuk kemi pasur bashkërendim. Do ishte më mirë të kishte një tryezë për të dalë me vendime të përbashkëta. Basha pas deklaratës së Ramës, del dhe jep zgjidhjen e krizës me 7 pika, ndërsa Berisha thotë kjo nuk zgjidhet me 7 pika. Fatkeqësisht që nuk do jetë kohë shumë e shkurtër për zgjidhjen e këtij problem. Pasi të sqarohet poli kryesor në PD do jetë më e mundur bashkërendimi i krahëve të opozitës”, shtoi Duka.

Kreu i PAA-së, u shpreh se janë dakord me propozimin e socialistëve për një reformë të re territoriale, por me kushtin që ajo të hartohet me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike si dhe një kod të ri zgjedhor. Sipas tij modeli i fundit ka sjellë një ngërç për shkak se menaxhimi i bashkive të mëdha është përqendruar në zonat e qendrës duke harruar periferinë.

“Jam dakord. Kam qenë kundra me qëndrimet e PD dhe Bashës për këto që kanë ndodhur. Opozita nuk mori pjesë në ndarjen territorial. Opozita dogji mandatet, nuk hyri në zgjedhje. Ato që shtrohen sot i kemi shtruar me kohë. Duhet një reformë territoriale ku të marrin pjesë të gjitha forcat politike dhe një kod i ri zgjedhor. Unë mund të flas në përgjithësi. E kam shprehur që në fillim që ndarja në 61 bashki kaq të mëdha ishte kalim në një ngërç. Edhe si eksperiencë, qe negative sepse u përqendrua menaxhimi i kryetarëve të bashkive në qytetet e vjetra ndërsa skajet u lanë në harresë.

Në Durrës, nuk është menaxhuar mirë Ishmi në krahasim me zonën e plazhit apo qendrën e Durrësit. Edhe plehrat u dërguan në Ishëm. Duhet të ishte bërë një ndarje më e studiuar. Debat që të bëhet reforma territorial nuk besoj të ketë. Debatet për variantin do ketë. Një komision që duhet disa muaj për të mbaruar punë. Unë besoj se gjendet gjuha e përbashkët por sidoqoftë reforma me të gjitha forcat është më e mirë se ajo që mund të bëhet nga një forcë e vetme politike”, deklaroi Duka. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!