Duka komenton shortin e Nations League: Grup i balancuar, uroj të kemi të njëjtat rezultate si në kualifikueset e Evropianit

schedule09:16 - 9 Shkurt, 2024

schedule 09:16 - 9 Shkurt, 2024

Pasditen e së enjtes që sapo lamë pas, në Paris të Francës u hodh shorti përcaktues i fazës së grupeve, të kompeticionit për përfaqësueset, UEFA Nations League, ku pjesë janë edhe “Legjionarët” tanë, të cilët këtë edicion janë pozicionuar në Ligën B, ku në grup do të kenë Kombëtaret e Çekisë, Ukrainës e Gjeorgjisë.

Pas këtij shorti, një koment të shkurtër e bëri edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili u shpreh se grupi është i balancuar dhe shtoi se nuk dëshironte që të kishte sërish si kundërshtarë Çekinë e më tej theksoi se fillimisht trajneri dhe skuadra duhet të përqendrohen te Europiani dhe më pas të mendojnë për UEFA Nations League.

“Shorti na vuri përballë me skuadra të të njëjtit nivel, por në përgjithësi kështu është i gjithë grupi B sepse kështu është ndërtuar Nations League, me kategori, me grupe dhe janë të gjitha të të njëjtit nivel, të katërt grupet. Grupi jonë mendoj që është i baraspeshuar, do ketë rezultate interesante. Nuk më vjen mirë që luajmë me të njëtën skuadër, më mirë të provonim me një ekip tjetër por shorti na vuri përballë Çekisë përsëri. Do të vizitojmë sërish Pragën dhe do presim Çekinë në Tiranë. Uroj të kemi të njëjtat rezultate si në kualifikuese.

Megjithëse është shumë e rëndësishme, Nations League ka kohë që të fillojë pasi do të startojë në shtator. Ajo që unë kam në mendjen time, në fakt do të doja të isha i përqëndruar dhe të njëjtin përqëndrim do të doja të kishte edhe trajneri dhe skuadra, të përqëndrohemi në Kampionatin Evropian. Le t’i marrim me radhë gjërat siç i kanë rregullat e futbollit dhe pas Kampionatit Evropian le të mendojmë edhe për Nations League. Të mendojmë me seriozitet, por nuk duhet të shpërqendrohemi nga Europiani për momentin.

Të përqendrohemi më shumë tek ndeshja e parë me Italinë e më pas te ndeshjet e tjera më vonë. Skuadrat e grupit B janë të gjitha skuadra të të njëjtit nivel. Mund të them që ndonjë skuadër është më e mirë edhe se te Liga A, si përshembull Anglia apo Çekia që janë të një niveli shumë të lartë. Këshu që nuk kisha ndonjë preferencë nga pikëpamja sportive, por nga pikëpamja e eksperiencave të reja do të doja të mos ishte Çekia, le të ishte një skuadër tjetër, qoftë edhe Anglia”,- u shpreh “numri 1” i FSHF-së. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!