Armand Duka kishte zgjedhur të ndiqte në stadium Laçin, që mposhti Podgoricën në “Elbasan Arena”, por fjalët e ëmbla i ka edhe për Vllazninë e Partizanin, që kaluan gjithashtu në turin e dytë të Conference League.
Në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, kreu i FSHF-së shkruan: “Urime Vllaznia, urime Partizani, urime Laçi! Të dashur miq, dua t’u shpreh urimet më të mira 3 skuadrave tona, që na dhuruan një natë magjike dhe kualifikime plotësisht të merituara me gola, spektakël dhe emocione të mëdha.
Këto suksese janë meritë e një pune të mirë nga stafet teknike, lojtarët dhe drejtuesit e klubeve, të cilëve dëshiroj t’ju përcjell përgëzimet e mia më të sinqerta.
Turi i dytë i UEFA Europa Conference League rezervon rivalë të fortë, por jo të pakalueshëm. Me besim dhe impenjim maksimal gjithçka është e arritshme ndaj çdo kundërshtari”. /abcnews.al