Ashtu sikur ishte paralajmëruar ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias do të vizitojë Shqipërinë. Tashmë zyrtare është data e vizitës, që do të jetë në 20 tetor. Kryediplomati grek vjen në Tiranë vetëm pak më shumë se një muaj nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë në 15-16 shtator në një konferencë rajonale. Arsyeja kryesore e vizitës së Dendias në Shqipëri është deti, që riktheu debatin edhe njëherë në dy anët e kufirit.
Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias tha pak ditë më parë që çështja e kufirit detar me Shqipërinë duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një intervistë për mediat greke, ai u shpreh se shpreson te rinisja e dialogut. Dendias theksoi se zgjidhja e problemeve të vjetra është edhe në interesin e Shqipërisë duke pasur parasysh perspektivën evropiane.
Debati me Greqinë për detin u rindez, pasi Athina zyrtare deklaroi se do të zgjerohet me 12 milje në Jon. Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë zgjidhet me ndihmën e palëve të treta, ose gjykatave ndërkombëtare./ db/Abcnews.al