Teksa ka folur në emisionin “Sheshi i Dollarit”, për projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, drejtoresha ekzekutive e “Shoqata për Autonomi Vendore”, Adelina Farrici ka thënë se mund të krijohet edhe neglizhencë te qytetarët, pasi ata mund të mos vijojnë t’i paguajnë më duke menduar se do u falen gjithmonë.
Sakaq, ajo ka theksuar është e paimagjinueshme që gjoba të kalojë vlerën ndërtimit. Megjithatë, sipas Farricit, duhet të përfitojnë familjet në fshat që kanë ndërhyrë me ndërtime.
“Këtu unë mendoj që nuk do të ketë problematika. I gjithë ndërtimi është bërë brenda territorit dhe pronës dhe nuk shqetëson banorët e tjerë. Mentaliteti i faljes së gjobave nuk është gjë e mirë, sepse mbaj mend që në momentin që u falën gjobat për energjinë elektrike, ishin një pjesë e qytetarëve që kishin zbatuar ligjin me korrektësi dhe në momentin që falen, jemi ne që penalizohemi. Edhe e dyta është që krijohet mentaliteti që nuk ka problem, pasi në momentin që unë e shkel ligjin s’ka problem se unë do falem. Është një falje, një fashë e përcaktuar.
Kështu lidhet dhe me fshatin, pasi gjobat e ndërtimeve urbane nuk falen, por falen ato të territoreve rurale. Për shembull, ndërtimi i një çatije, i ka rënë çatia dhe ka bërë ndërtimin pa marrë lejen. Në këtë aspekt ne bashkohemi me faljen e gjobave. Kjo lloj falje është dhe një sensibilizim për inspektoriatet. Është e paimagjinueshme që gjoba të kalojë vlerën e ndërtimit. Kjo është e pakonceptueshme, duhet të ketë disa kritere në këtë drejtim”, u shpreh ajo./abcnews.al