Diçka më shumë se 24 orë na ndajnë nga përballja më e rëndësishme e këtij viti për “Legjionarët” tanë, teksa në “Volksparkstadion”, të Hamburgut do të sfidojnë Kroacinë, në sfidën e dytë, në rrugëtimin e tyre, të dytë në histori, në një Kampionat Evropian të futbollit, ku padyshim ndaj një rivali të madh, si “Të Zjarrtit” do të kërkojnë një rezultat të madh.
Këtë të martë zhvillohen edhe konferencat zyrtare për shtyp, ku pas “kroatëve” tashmë është radha e “Legjionarëve” tanë, ku bashkë me teknikun Sylvinho është edhe kapiteni Berat Gjimishti, me këtë të fundi, i cili mori fjalën i pari, teksa theksoi se në fushë duhet të luajmë fort, e më tej u shpreh se ndaj Kroacisë nuk do të jetë aspak një përballje e lehtë.
“E kam thënë edhe pas pjesës së parë, ndaj Italisë, që duhet të ishim më inteligjent në fushë. Duhet ta kishim frenuar ritmin e kundërshtarit, pasi kundërshtarë të tillë mund të bëjnë dëm. Nuk duhet të jemi të bukur në fushë, por të luajmë fort, për të marrë atë që meritojmë.
Për Kroacinë, nuk ka qenë një ndeshje e mirë, humbën 3 me 0. Nuk është një ndeshje e lehtë për ta, ashtu si për ne. Ata do të tentojnë më të mirën, por do të shohim në fushën e blertë se kush do të fitojë, ne duam të sigurojmë pikë gjithashtu”,- u shpreh kapiteni i “Legjionarëve”. /i.m /abcnews.al