“Duhet të bëhet president”, Halit Valteri flet për takimin me Princ Lekën: Si qëndron e vërteta e hasmërisë mes familjeve

schedule08:34 - 28 Prill, 2022

schedule 08:34 - 28 Prill, 2022

Ish deputeti Halit Valteri ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për takimin me Princ Lekën, që bëri bujë ditën e djeshme në rrjete sociale. Dy familjet ishin në konflikt me njëra-tjetrën pasi stërgjyshi i ish deputetit, Beqir Valteri plagosi Ahmet Zogun në ambientet e Parlamentit shqiptar.

Lidhur me këtë ngjarje që bëri bujë asokohe, ish deputeti dha detaje gjatë intervistës që dha për “Abc e mëngjesit”. Sipas tij, para se të ndodhte atentati, dy familjet kishin një miqësi me njëra-tjetrën por gjërat ndryshuan pas një ngjarjeje që ndodhi nga krahu i djathtë i Zogut, Lal Krosi.

“Pas viteve ‘45, me ardhjen e Partisë Komuniste, shumica e historive janë shkruar sipas oreksit. Historia midis dy familjeve Valteri dhe Zogoli është një miqësi  e hershme para se të ndodhte atentati në ’24. Babai i Zogut ka qenë një mik i familjes tonë, thuhet se në kullën e Valterëve ishte dhoma e Pashës.

Intrigat e atyre viteve sjellin që Lal Krosi, njeriu më i afërt i Zogut, këshilltari i tij, përfshihet në vrasjen e nënprefektit të Dibrës, Xhemal Valteri. Nga këto ndodhi, pati një mbledhje në familjen ku iu ngarkua Beqirit si përgjegjësi që të ekzekutonte kryeministrin. Kjo pasi mendonin se vinte nga Ahmet Zogu.

Beqiri ishte student në atë kohë në Itali me një bursë nga shteti shqiptar, dhe merr përsipër që të kryejë atentatin. I dhanë konotacion politik. Pasi është takuar me Zogun 3 ditë pas ngjarjes, është falur pasi ia ka shpjeguar se si ka qenë puna. Për të shuar një gjakmarrje midis fiseve, ngjarja është mbyllur.“, tha ai.

Pse u zgjodh Beqir Valteri për të kryer atentatin? Siç tha ish deputeti: “Mesa di unë ka qenë i vetmi person që mund të hynte dhe dilte në Parlament. Kishte mundësi për të hyrë në institucion.” Valteri tregoi gjithashtu se ky nuk është takimi i parë me Princin Leka.

“Për mua princi është një nga figurat që e kam shumë qejf politikisht. Një nga bisedat që bëra ishte dhe ajo që qarkullon në rrjete sociale për t’u bërë president. I thosha që shpresoj që të jesh sepse je përtej të majtës dhe të djathtës. Si matjan, do të isha i nderuar.“, theksoi mes të tjerash ish deputeti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!