“Duhet punuar shumë me krahun e punës”/ Eksperti: Sezoni i artë turistik, rezultat i punës dhe besimit se Shqipëria është e sigurt

schedule14:36 - 16 Gusht, 2023

schedule 14:36 - 16 Gusht, 2023

Shqipëria po përjeton një sezon të artë turistik. Numri i vizitorëve që kanë hyrë në vend përgjatë këtyre muajve është rritur ndjeshëm. Për këtë fluks foli edhe eksperti për çështjet e turizmit,
Ferjolt Ozuni, i cili thotë se kjo vjen si rezultat i rritjes së besimit se vendi ynë është i sigurt.

Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit”, eksperti përmendi gjithashtu edhe rolin e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij, me daljet nëpër mediat e huaja, nuk ka lënë pa përmendur vazhdimisht edhe turizmin. Sipas tij, efektin e promovimit nga mediat ndërkombëtare do ta shohim verën e vitit që vjen.

“Ajo çka po shohim sot në këto reklamat nëpër mediat ndërkombëtare, nuk është se ka impakt të menjëhershëm. Do ta ketë në vjeshtë, dimër dhe vitin tjetër në sezonin e verës. Ajo që shohim sot është rezultati i një pune të bërë kryesisht nga operatorët ekonomikë privatë, si edhe një trend influencerash që po bëjnë reklamimin me apo pa pagesë në rrjete sociale që është bërë që nga janari i këtij viti. I gjithë ky fluks turistësh është rezultat i besimit se Shqipëria është një vend i sigurt.

Italinë e kemi pasur ngjitur gjithë kohës por shpesh dëgjoja se nuk kishin besim në sigurinë e tyre fizike. Ne sot kemi numër rekord italianësh që shpresoj që statistikisht të kalojë 1.5 milionë turistë italianë duke marrë parasysh faktin se avionët, tragetet janë plot. Një benefit tjetër është edhe siguria politike që jep Shqipëria duke nxjerrë kryeministrin në televizionet e mundshme, e cila cilado qoftë tema që thotë, ka diskutuar gjithmonë për turizmin dhe ka dhënë sigurinë që Shqipëria është e sigurt për këdo që do të vijë në Shqipëri. Ka ardhur si rezultat i një pune që bëhet me reklama të paguara edhe nga agjencia kombëtare e turizmit apo kompani shqiptare nëpër botë.”, theksoi eksperti.

I pyetur nga gazetarja Genta Dobra se si vendi mund të bëhet konkurrues në treg në sektorin e turizmit, eksperti tha se së pari duhet punuar shumë me krahun e punës. “Duke filluar nga trajtimi i krahut të punës dhe nga mbajtja fort krahun e punës brenda vendit. Vështirë të jesh konkurrues nëse nuk ke bazën e shërbimit.”, tha ai.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!