“Duhet lidership i ri”, Biberaj: Basha, Berisha dhe Bardhi nuk krijojnë frymë, punojnë për interesa personale

schedule13:41 - 29 Dhjetor, 2023

schedule 13:41 - 29 Dhjetor, 2023

TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, komentoi gjendjen e opozitës dhe shanset e mundshme që ka ajo për të dalë nga kriza e përfaqësimit, tek e cila “noton” prej shumë kohësh.

Ai theksoi në “Tirana Live” se PD-së i duhen zgjedhje të reja dhe një lidership i ri, pasi Berisha dhe Bardhi, duke përfshirë dhe të tjerët që janë rreth tyre janë karta të djegura dhe nuk ngjallin frymë opozitare.

Ai theksoi se aktorët e tanishëm në PD po luajnë për interesa personale dhe jo për demokratët.

“Duhet të shpallen zgjedhje të reja në drejtimin e partisë. PD po thyhet çdo ditë dhe kjo i shërben Edi Ramës. Situata është shumë e rëndë, por shpresa vdes e fundit dhe besoj se PD do gjejë alternativa të reja. Berisha, Bardhi, dhe ata që janë rreth tyre nuk punojnë për interesin e demokratëve, por për interesin e tyre personal. Berisha nuk i mbajti premtimet që dha. Rezultati i zgjedhjeve lokale ishte katastrofë. Një grupim që është tkurrur dhe të gjithë ata që janë rreth Berishës janë karta të djegura. Grupi i Bashës është grup katër apo pesë veta dhe nuk përfaqësojnë asgjë. Bardhi është një aktor jopolitik, që ditën është me Berishën dhe natën me Bashën”, tha Biberaj në “Tirana Live”.

Ai skanoi edhe qeverinë Berisha, për të cilën tha se gjatë periudhës 2009-2013 ka qenë e zhytur në korrupsion, ndërsa veçoi tragjedinë e Gërdecit, që për Biberjan duhet konsideruar si një krim dhe korrupsion shtetëror.

Ish-deputeti demokrat Biberaj komentoi edhe procesin  hetimor ndaj Berishës, ndërsa u shpreh se sido që të shkojë procesi, as ish-kryeministri dhe as të tjerët që e ndjekin atë nga pas, nuk arrijnë të krijojnë frymë dhe përfaqësim te demokratët.

“Gërdeci ishte krim dhe korrupsion shtetëror, 2009-2013 ishte qeverisje, e cila u zhyt krejt në korrupsion. Pavarësisht se çfarë do të ndodh me këto vendimet, nuk shoh shpresë, as te Berisha, as Basha, as te Bardhi, por duhet një elitë e re politike. E provuam Bashën 10 vite, që ishte produkt fals i Sali Berishës dhe ja ku na çoi. Nuk ka ide, politika duhet të këtë ide, frymë, as Berisha, as Basha as Bardhi nuk e kanë. Kemi humbur dhe të gjitha bastionet”, tha Biberaj./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!