Niveli i inflacionit në vend ka vijuar trajektoren rënëse duke prekur nivelin më të ulët që prej Shkurtit. Sipas INSTAT, inflacioni preku nivelin 3.8 % nga 4.1 % që ishte një muaj më parë. Ndikim kryesor në ulje ka pasur grupi i transportit me çmimet e karburanteve tashmë të stabilizuara.
Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa tha në një intervistë për “Money Report” se ky zhvillim është pozitiv ndërsa renditi edhe faktorët që kanë ndikuar në uljen e inflacionit.
“Një zhvillim pozitiv, i pritshëm. Prej muajsh inflacioni ka filluar që të futet në trajektoren e vet rënëse duke pritur që deri në fundin e vitit të ardhshëm të konvergojë drejt objektivit që ka Banka e Shqipërisë dhe ky është një zhvillim i pritshëm. Mendoj se reduktimi i inflacionit në veçanti gjatë këtij muaji dhe ndoshta edhe gjatë nëntorit, mund t’i dedikohet më së shumti një dobësimi të djeshëm të kërkesës së brendshme dhe në këtë kuptim, e para qytetarët shqiptarë po shpenzojnë më pak dhe për shkak se nivelet e çmimeve janë të larta. E dyta, edhe sektori i turizmit është në rënie, një burim i kërkesës së brendshme dhe e treta i dedikohet kursit të këmbimit dhe vazhdimit të prirjes së fuqizimit të lekut në raport me monedhën evropiane. Të tre këto faktorë kanë kontribuar në frenimin e fenomenit të inflacionit.“, u shpreh eksperti.
Më tej, eksperti shtoi se Banka e Shqipërisë duhet të tregojë kujdes me rritjen e normës së interesit pasi mund të ketë efekt negativ në sistemin financiar. Ai thotë se duhet treguar kujdes edhe me politikat shtrënguese.
“Rritja e normës së interesit këtë ka si synim kryesor. Mendoj se jemi në nivel të lartë të normës së interesit. Mendoj se tashmë po i kontribuon reduktimi i kërkesës së brendshme që nënkupton faktorët më objektiv sesa thjesht manovrat monetare. Po kështu edhe fenomeni i forcimit të ndjeshëm të monedhës kombëtare është një instrument që mund të konsiderohet si kontribut i Bankës së Shqipërisë. Sa i takon rritjes së normës së interesit mendoj se banka qendrore duhet të jetë më e kujdesshme për arsye se efekti i saj në sistemin financiar të vendit mund të fillojë të japë pasoja negative, jo thjesht në frenimin e kërkesës së re për kredi në ekonomi, qoftë për investime apo për konsum por edhe për shkak të gjendjes së trashëguar të portofolit të sistemit të kredisë të cilësisë së aseteve që mund ta përkeqësojë dhe mund të krijojë probleme në sistemin financiar të vendit.
E pamë vitin e kaluar në SHBA. Falimentimi i bankave erdhi kryesisht nga rritja e normës së interesit. Arsyeja ishte e thjeshtë sepse ishin blerë letra me vlerë të borxhit me një çmim të ulët dhe rritja e normës së interesit krijoi probleme serioze humbjeje për sistemin financiar. Edhe një sistem i shëndetshëm financiar, në kushtet shtrënguese të normave të interesit, fillon që të ketë probleme. Mendoj se duhet të jetë në konsideratë. Në Shqipëri nuk është se kemi nivel të lartë inflacioni dhe me një inflacion tre për qind nuk do të ishte problem serioz për funksionimin e ekonomisë. Duhet të jemi më të kujdesshëm në vazhdimësi sa i takon shtrëngimit të mëtejshëm të politikës monetare.“, shtoi eksperti./abfnews.al