Atalanta dhe Lazio po zhvillojnë futbollin më të bukur në Serie A dhe javën e ardhshme do të përballen mes tyre në kampionat. Sfida e 7 marsit luhet në fushën e bergamaskëve, që vjen nga një fitore 2-7 kundër Lecce.
Duvan Zapata realizoi një tregolësh dhe është rikthyer në formën e tij më të mirë pas dëmtimit. Bomberi kolumbian analizon situatën fantastike të Atalantës në prononcimin për Sky Sport dhe ndalet te ndeshja ndaj skuadrës së Inzaghit.
“Është kënaqësi të luash me Atalantën. Po zhvillojmë një futboll të shkëlqyer, por duhet të përmirësohemi në mbrojtje. Duhet të mbrojmë të gjithë së bashku, nuk mund të pësojmë dy gola si ndaj Lecce.
Kemi treguar se jemi të fortë dhe se kemi synime të mëdha në kampionat. Lazio? Shifrat tregojnë se jemi më të fortë se ata në sulm, kemi shënuar më shumë. Gjithsesi, Lazio është një skuadër e fortë. Kemi një motivim të madh për ndeshjen e radhës. Le të fitojë më i miri“, deklaron Duvan Zapata. /abcnews.al