“Dueli i karrierës”, Fonseca kërcënon United: Roma ime gjithmonë në sulm

schedule19:59 - 28 Prill, 2021

schedule 19:59 - 28 Prill, 2021

Roma është i vetmi ekipi italian që ka mbetur në garë në kompeticionet evropianë. Verdhekuqtë nga kryeqyteti, do të përballen me Manchester United nesër në mbrëmje (21:00), sfida e parë gjysmëfinale e Europa League.

Hera e dytë në vitet e fundit që ekipi italian luan një gjysmëfinale evropiane pas asaj kundër Liverpool në Champions League (2018). Trajneri i Romës, Paulo Fonseca nuk fshihet dhe e konsideron këtë sfidë si më të rëndësishmen e karrierës si trajner.

Kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierës time. Jemi të gjithë entuziastë, ky është një shans i madh për klubin, qytetin dhe lojtarët. Nuk u ndodh të gjithëve të luajnë një gjysmëfinale ndaj Manchester United.

Mungesat? Ka qenë e vështirë të kryej siç duhet detyrën time me kaq shumë mungesa. Kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar, po luajmë ndeshje çdo tre ditë. Ka rëndësi të madhe fitimi i këtij kompeticioni“, deklaron portugezi në konferencën për shtypin.

Më pas taktika e skuadrës së tij. Fonseca preferon lojë ofensive dhe futboll kreativ. Edhe pse do të luhet për dy rezultate në “Old Trafford”, Romën do e shohim si zakonisht duke tentuar të sulmojë, me synimin për të goditur e befasuar “Djajtë e Kuq” ishullorë.

Nuk më pëlqen të pres në mbrojtje dhe të përdor kundërsulmin. Ka raste që ndodh, si në ndeshjen e kthimit ndaj Ajax, por unë preferoj një tjetër stil loje. United ka shumë lojtarë të mirë në sulm, të shpejtë dhe të aftë për të zgjidhur ndeshjen në çdo moment.

Duhet të jemi të përgatitur, por nuk mund të shkojmë atje për t’u mbrojtur. Duhet të qarkullojmë topin, të marrim iniciativa dhe të luajmë me guxim të madh“, deklaron Fonseca, i cili e mbyll prononcimin e tij me një koment për Bruno Fernandes.

Ai është një lojtar fantastik, e ka treguar te Sportingu dhe po konfirmohet tek United. Një lojtar me shumë cilësi, teksa më befason personaliteti që ka. Po flasim për një luftëtar, por në të njëjtën kohë është edhe lider“. /abcnews.al