Duel pa fund Inter-Napoli/ Garë dramatike për titull në elitën e futbollit italian

schedule13:27 - 19 Maj, 2025

schedule 13:27 - 19 Maj, 2025

Në qytetin e Maradonës janë gati të nisin festën. Napoli vërtet nuk mundi ta fitonte titullin këtë fundjavë, por mundësitë janë të gjitha për të ngritur lart trofeun e Serisë A.

Barazimi pa gola në fushën e Parmës mund të kishte prishur shumë punë, por për fat Lacio ia mori pikën Interit në “San Siro” dhe skuadra e trajnerit Antonio Konte mbetet e para me një pikë më shumë se kampionët.

Java e fundit ka sfidat Napoli-Kaljari dhe Komo-Inter. Në stadiumin “Tardini”, ishin napolitanët që bënë lojën dhe goditën tri herë shtyllën me autorë Anguisën, Politanon dhe skocezin Mektominai.

Gjakrat ishin tepër të ndezura dhe dy trajnerët, Kivu e Konte, u përjashtuanme karton të kuq. Siç ndodh shpesh në futboll nuk munguan polemikat.

Në minutën e 94-ët Napolit iu dha penallti, por VAR thirri arbitrin I cili dalloi një faull të lojtarit napolitan, Simeone, përpara momentit të 11-metërshit.

Polemika edhe në “San Siro”. Interi protestoi për penalltinë që iu dha Lacios në fund, kur Bisek preku topin me krah, të cilin e kishte larg trupit.

VAR I dha mundësi gjyqtarit të rishikonte dhe ai vendosi për 11-metërsh. Po ashtu pati momente të tjera për të dyja skuadrat. Gjithsesi, rëndësi ka rezultati 2-2, që u konkretizua me golat nga Bisek e Damfris për avantazhet 1-0 e 2-1 të zikaltërve, dhe me rrjetat nga Pedro në 72’ e 90’ me penallti.

Tek Lacio pati 25 minuta edhe për Elseid Hysajn, që hyri në fushë si zëvendësues, ndërsa Kristian Asllani mbeti në stol tek vendasit.

Pritet që rivalët për titull të luajnë të premten për shkak të finales së Championsit, ndërsa shanset sipas kompanive të basteve janë thellësisht në favor të napolitanëve, që do të fitonin “skudeton” e tretë në histori. Napoli kryeson Serinë A me 79 pikë, Interi ka 78./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!