Alban Beqiri mbylli garimin e tij historik në Kampionatin Botëror të Boksit me një medalje të bronztë. Boksieri shqiptar arriti të shkonte deri në gjysmëfinale në kampionatin e mbajtur në Serbi, por humbi përballë rusit Vadim Musaev. Albani bashkë me trajnerin e tij, Seat Bushati, ishin të ftuar këtë të premte në emisionin e mëngjesit në ABC, ku folën për suksesin dhe peripecitë që i është dashur të kalojnë.
“Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që tifozeria të fishkëllente në aspektin e keq, pasi ndeshjen e parë e kreva me sukses, nuk e mendova shumë atë pjesë. Sikur më motivoi dhe u përqendrova te stërvitja. Pësova një dëmtim shumë të madh. Në ndeshjen e dytë pata një tërheqje muskulare në mes dhe e ndjeva dëmtimin, nuk mundesha dot të lëvizja shpejt dhe të kisha reflekset e duhura. Ndeshjen e nxora me sukses dhe kërkova një fizioterapist. Ky ishte një problem sepse nuk kishim një fizioterapist.”, tha boksieri.
Albani tregoi më tej se pasi ishte dëmtuar në ring, në ndihmë i kishte ardhur fizioterapisti i ekipit të Ekuadorit. “Me ekipin e Ekuadorit kisha muhabet me fizioterapistin. I tregova se kam një problem dhe vetë me dëshirën e tij më ndihmoi. Në fakt një seancë më bëri gjatë ditës por motivimi nga të gjithë vinte një farë kohe mendoja vetëm për ndeshjen dhe harroja dëmtimin fizik. Ndeshje pa ndeshje u bënë të mëdha si plagë në ndeshjen e tretë u dëmtova në dorë pasi kisha një ndrydhje.”, tha më tej Albani.
Ndërkaq, trajneri kur u pyet nga gazetari Enkel Demi nëse do të ketë një përballje të mundshme mes Florian Markut dhe Albanit, ai tha: “Sa i përket kësaj ndeshjeje, me gjithë respektin që kam për Florian Markun, është një sportist shumë i mirë, mbi të gjitha është një djalë që punon fort. I urojmë shumë suksese por një përballje me Albanin në objektivat tona nuk janë me Florianin ose përtej tij. Me Albanin të kualifikohemi për në Olimpiadën në Paris”. /abcnews.al