“Dua botërorin me Gjermaninë”, Gruda shuan shpresat e “Kuqezinjve”: Kam familjen në Shqipëri, por zemra më thotë gjë tjetër

schedule16:16 - 10 Tetor, 2024

schedule 16:16 - 10 Tetor, 2024

Origjinën nuk e mohon, por për momentin ka vendosur të ndjekë zemrën dhe ajo i thotë se Gjermania është zgjedhja e duhur.

Djalë i prindëve shqiptarë, por i lindur dhe rritur në vendin ku ata emigruan në fillim të viteve 90’, Brajan Gruda ndiqet prej kohësh nga tekniku Sylvinho dhe stafi teknik i Kombëtares shqiptare, gjithsesi deri më tani ka qenë e pamundur për ta veshur atë “kuqezi”.

Një përfundim logjik nëse sheh karrierën e 20 vjeçarit.

Ai shpërtheu në elitën e futbolli gjerman, Bundesliga, me skuadrën e Mainz, përpara se të transferohej te “Pulëbardhat” e Brighton për shifrën e 31 milionë eurove.

Po ashtu Gruda është pjesë e kombëtares U21 gjermane, ku mban shiritin e kapitenit, si dhe në xhiron e ekipit të parë të drejtuar nga Julian Nagelsman, me këtë të fundit që e grumbulloi në fazën përgatitore përpara finaleve të “Euro 2024”, por nuk e përfshiu në listën përfundimtare të turneut.

Megjithatë, “ylli” i sulmit shpreson të jetë në finalet e Botërorit të ardhshëm.

“Synimi im është Kupa e Botës 2026 dhe dua të luaj një rol të rëndësishëm atje. Dua të fitoj gjithçka me U21. Është më mirë nëse i fitojmë të dyja. Do të vijë edhe koha ime në ekipin e të rriturve. Unë kam familjen në Shqipëri, prindërit e mi vijnë nga atje. Këtu kam lindur dhe rininë e kam kaluar në Gjermani. Nuk e di se çfarë ka e ardhmja, por zemra ime më thotë se dua të luaj për Gjermaninë”,- u shpreh anësori.

Ndërkaq, kujtojmë se Brajan Gruda e ka futbollin në gjak, pasi babai i tij, Bujar Gruda ka qenë lojtar i Vllaznisë, kampion i Shqipërisë në vitin 1992. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!