Tirana ndodhet sot në “shtetrrethim” si asnjëherë më parë si pasojë e masave të ashpra që janë marrë për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Gazetari Maksi Rama ishte pranë tregut të fruta-perime në sheshin “Shimon Pere” në kryeqytet. Ky treg ka sot lëvizje të qytetarëve, ndërsa një pjesë e tregtarëve janë sensibilizuar duke i mbyllur banaqet e tyre. Mirëpo, nga ana tjetër siç raporton gazetari një pjesë e qytetarëve që bëjnë blerjet nuk kanë maska dhe as doreza, ndërsa tregtarët janë të pajisur.
Por duket se situata kaotike është shfrytëzuar edhe për rritjen e çmimeve, pasi ky është pretendimi i qytetarëve. Një prej tyre thotë për Abc News se janë rritur çmimet e frutave dhe perimeve.
“Kisha 4-5 ditë pa dalë dhe sot habitem me çmimet e frutave. Janë dyfishuar thuajse, për mendimin tim është një krim. Por e keqja vjen nga ato kompani që bëjnë furnizmin me shumicë, por edhe nga shteti që nuk ushtron kntroll. Unë dua të falenderoj mjekësinë. Dua të falanderoj mediat për sensibilizimin. Shteti duhet të shikojë dhe të mos e përqëndrojë vëmendjen sepse njerëzit po ndërgjegjësohen. Ashtu si edhe shumë të moshaur të tjerë detyrohet të dalë dhe të bëjë pazarin vetë. Edhe unë hyj në këtë grup të shoqërisë që fëmijët i kemi jashtë. ne po përballemi edhe me këtë, jemi më të rrezikuarit. Dua t’ju lutem mediave që të sensibilizoheni rreth këtij problemi, të çmimeve të larta që janë vendosur, çfarë po na sjellin, mollën të kalbur, portokallen të mbetur”, thotë ai.
Ndërkohë një tjetër e moshuar thotë se ka dalë e pa maskë pasi çmimi i tyre është rritur dhe nuk ka mundësi të blejë. Dilema e saj është të blejë maskën çmimi i së cilës ka shkuar 8 mijë lekë të vjetra apo ilaçet.
“8 mijë lekë një maskë është gjynah, a të blejmë maskë apo fruta. 2 mijë lekë portokallja nuk e mora dot. Ne nuk kemi lekë”, thotë ajo e irrituar. /abcnews.al