Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar tre drejtues automjetesh, nga të cilët dy për drejtim të automjetit në gjendje të dehur ndërsa njëri ka qenë duke udhëtuar pa leje drejtimi. Ndërkohë janë pezulluar 57 leje drejtimi, nga të cilat 40 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Janë vendosur 1456 masa administrative për shkelje që janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore si parakalime të gabuara, përdorim i celularit gjatë drejtimit të automjetit, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për mospërdorimin e rripit të sigurimit, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për shkelje të semaforit etj.
Policia është vendosur në një aks rrugor ndërmjet Elbasanit dhe Librazhdit ku janë ndaluar dhjetëra drejtues automjetesh të cilët me shpejtësi janë futur në parakalim të gabuar.
“Më qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore në DVP Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 Drejtoritë Vendore të Policisë, ka intensifikuar kontrollet, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, në të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri”, njofton policia./mv.abcnews.al