Shkencëtarët kanë arritur të mbledhin mostra nga frymëmarrja e balenave duke përdorur dronë, një metodë inovative që po ofron të dhëna të reja mbi shëndetin e këtyre gjitarëve detarë dhe rreziqet me të cilat përballen.
Dronët, të pajisur me pajisje speciale dhe enë sterile, u fluturuan mbi sipërfaqen e detit për të kapur pikëzat e nxjerra gjatë frymëmarrjes së balenave, në momentin kur ato dalin për të marrë ajër. Analizat laboratorike zbuluan praninë e një virusi shumë ngjitës, i lidhur me ngordhje masive të balenave dhe delfinëve në mbarë botën.
Sipas profesor Terry Dawson nga King’s College London, kjo metodë përfaqëson një hap të rëndësishëm në monitorimin e shëndetit të balenave. “Ne mund të identifikojmë patogjenë te balenat e gjalla pa i shqetësuar apo dëmtuar, duke marrë informacion thelbësor për sëmundjet që po përhapen në ekosistemet e ndjeshme të Arktikut”, u shpreh ai.
Në kuadër të studimit, shkencëtarët morën mostra nga frymëmarrja e balenave me gunga, balenave fin dhe balenave spermë, duke i kombinuar ato me biopsi të lëkurës të realizuara nga anije kërkimore.
Për herë të parë, u konfirmua se morbilivirusi i cetaceve një virus potencialisht vdekjeprurës, po qarkullon mbi Rrethin Arktik. Ky virus përhapet lehtësisht mes balenave, delfinëve dhe derrkucëve të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe ngordhje masive. Ai mund të kalojë nga një specie në tjetrën dhe të përhapet në distanca të mëdha oqeanike.
Studiuesit shpresojnë se kjo teknologji do të ndihmojë në zbulimin e hershëm të kërcënimeve për jetën detare, përpara se ato të marrin përmasa globale. “Prioriteti ynë është monitorimi afatgjatë për të kuptuar se si faktorë të ndryshëm stresi do të ndikojnë në shëndetin e balenave në të ardhmen,” tha Helena Costa nga Universiteti Nord në Norvegji.
Studimi është realizuar nga King’s College London, The Royal (Dick) School of Veterinary Studies në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Nord në Norvegji, dhe është publikuar në revistën shkencore BMC Veterinary Research.

