Drogë e lojëra fati, RENEA “zbarkon” në Kukës, arrestohet një nga organizatorët, në kërkim një tjetër

schedule14:51 - 17 Tetor, 2021

schedule 14:51 - 17 Tetor, 2021

Një i arrestuar, një në kërkim dhe 7 nën hetim. Ky është bilanci i një aksionit të RENEA-s në Kukës kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe lojërave të fatit.

Në pranga përfundoi Besmir Sulaj, 35 vjeç, me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i dyshuar si organizator i shpërndarjes së drogave të forta dhe ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Ndërkohë Fation Elezaj 34 vjeç, u shpall në kërkim. Ai rezulton me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, i dyshuar për ushtrim pa licencë të lojërave të fatit, përshtatje të lokalit për përdorim droge dhe prodhim e shitje të narkotikëve.

Njoftimi i policisë:

Kukës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vila”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim me RENEA-n, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Arrestohet në flagrancë një nga organizatorët, si dhe shpallet në kërkim shtetasi që kishte vënë në dispozicion lokalin e marrë me qira, për ta përdorur për lojëra fati, shpërndarje e përdorim të drogave të forta.

Procedohen penalisht në gjendje të lirë dhe 7 shtetas, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen një sasi me lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike që shërbente për të ndarë lëndën narkotike në doza, një kuti me ekstazi, një tavolinë pokeri, një kuti me çipsa, letra bixhozi dhe një sasi parash.

Në funksion të procedimit penal të nisur më parë për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, nisur edhe nga informacionet e marra se personat organizatorë mund të ishin të armatosur dhe rrezikohej jeta e punonjësve të Policisë në operacion, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me RENEA-n, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, organizuan dhe finalizuan operacionoin policor të koduar “Vila”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 35 vjeç, me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i dyshuar si organizator i shpërndarjes së drogave të forta dhe ushtrimit të paligjshëm të lojrave të fatit, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. E., 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, i dyshuar për ushtrim pa licencë të lojërave të fatit, përshtatje të lokalit për përdorim droge dhe prodhim e shitje të narkotikëve.

Gjithashtu u proceduan penalisht për moskallëzim krimi, edhe 7 shtetas të tjerë, të cilët u gjetën duke luajtur lojra fati në lokalin e marrë me qera nga shtetasi i shpallur në kërkim F. E., i cili e kishte përshtatur lokalin për shpërndarje të drogave të forta dhe ushtrim të paligjshëm të lojrave të fatit.

Gjatë kontrollit në lokal, në qytetin e Kukësit, shërbimet e Policisë sekuestruan një sasi kokaine, sende që shërbenin për përdorimin e lëndës narkotike kokainë, ekstazi, çipsa, letra bixhozi, peshore elektronike, tavolinë pokeri dhe një sasi parash.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar B. S., shërbimet e Policisë gjetën edhe një sasi tjetër kokaine të futur në një qese plastmasi.
Operacioni vijon për kapjen e personit në kërkim, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!